Kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, para tubimit me krushjanët, vizitoi kompaninë e njohur “Apetiti” në Krushë të Madhe – një ndërmarrje model në përpunimin dhe grumbullimin e perimeve.
Kjo kompani furnizon tregun vendor me perime, turshi dhe ajvar, ndërsa si qendër grumbulluese mbledh rreth 500 mijë kilogramë perime në vit nga bujqit e rrethinës, duke eksportuar edhe në vendet e Bashkimit Evropian, me fokus në Gjermani dhe Zvicër.
Me 20 punëtorë, 1.2 hektarë serra dhe një gamë prej 20 artikujsh, “Apetiti” përfaqëson historinë e suksesit të bujqve të Rahovecit dhe potencialin e madh të agroindustrisë lokale.
“U urova suksese drejtuesve të kompanisë, me premtimin se dora institucionale do të jetë gjithmonë ajo që ndihmon e lehtëson punën e tyre,” u shpreh Smajl Latifi, duke theksuar se mbështetja për prodhuesit vendorë do të jetë një ndër prioritetet kryesore të qeverisjes së tij.
