Në një atmosferë të ngrohtë dhe bashkëpunuese, kandidati për kryetar të Komunës së Rahovecit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Burim Krasniqi, mori pjesë sot në një takim të organizuar nga SHL Kosova dhe Hareja, dy organizata të njohura për angazhimin e tyre në fushën e zhvillimit të të rinjve dhe përfshirjes sociale.
Në këtë takim, z. Krasniqi foli për rëndësinë e arsimimit cilësor, përgatitjes profesionale dhe joformale të të rinjve, si dhe për qasje gjithëpërfshirëse ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta. Ai vuri theks të veçantë te nevoja për të krijuar kushte më të mira për zhvillimin personal dhe profesional të gjeneratës së re.
Takimi u pasurua me një sesion pyetje-përgjigjeje, ku të rinjtë shprehën interes të madh për bashkëbisedim dhe ndanë ide konkrete për përmirësimin e arsimit dhe përfshirjes rinore në komunë.
Mesazhi kryesor i z. Krasniqit ishte i qartë dhe frymëzues:
“Të rinjtë nuk duhet të preokupohen me politikë, por me arsim, dije dhe formësim personal. Vetëm kështu ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme për Rahovecin dhe Kosovën.”
Ky takim u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit mes institucioneve lokale dhe sektorit civil për fuqizimin e rinisë dhe arsimimit në komunën e Rahovecit.