Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar sot se është nënshkruar marrëveshja me Pallatin e Rinisë, përmes së cilës sigurohen hapësira të reja për Galerinë e Artit, për I-sportin dhe për ICK-në (Innovation Centre Kosovo).
Përveç këtyre, në objekt do të vazhdojnë të shfrytëzohen edhe hapësirat aktuale nga klubet sportive të kryeqytetit.
“Sot nënshkruam marrëveshjen me Pallatin e Rinisë, ku u siguruan hapësirat për Galerinë e Artit, për I-sportin dhe për ICK-në, përveç hapësirave të tjera që tashmë janë në shfrytëzim nga klubet sportive të Kryeqytetit.
Tani ky pallat ikonik i rinisë, përveç sportit, i përket edhe kulturës”, ka shkruar Rama në një postim në rrjete sociale.
Ai shtoi se ky hap është pjesë e vizionit për ta kthyer identitetin e Prishtinës së vjetër, duke e ndërlidhur me ritmin dhe energjinë moderne të qytetit.
“Së bashku po ia kthejmë identitetin e Prishtinës së vjetër, duke e ndërlidhur me ritmin dhe energjinë e Prishtinës së sotme,” përfundoi Rama.