Kandidati për kryetar të Komunës së Rahovecit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Smajl Latifi, ka vizituar në mëngjes qendrën e madhe grumbulluese të qumështit “Pashtriku-N” në Ratkoc, ku është pritur nga pronari i saj, Naser Morina, bashkëluftëtar dhe mik i hershëm i tij.
Gjatë vizitës, Latifi u njoftua me punën dhe rezultatet mbresëlënëse të kësaj qendre, e cila deri tani ka grumbulluar mbi 5.6 milionë litra qumësht nga më shumë se 300 blegtorë të komunës, të cilët kanë shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin e ndërsjellë.
Latifi e uroi Morinën për sukseset e arritura dhe theksoi se përkrahja për fermerët blegtorë dhe stallat e tyre do të rritet ndjeshëm në mandatin e ri, duke garantuar mbështetje konkrete për zhvillimin e bujqësisë në komunën e Rahovecit.
“Faleminderit për pritjen dhe për përkrahjen! Punët e mira si kjo do të kenë gjithmonë përkrahjen tonë të plotë,” – tha Smajl Latifi.