Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka dyshuar edhe vet se mund ta bëjë qeverinë e re të dielën kur e ka afatin e fundit.
Tha se “nuk është kollaj” dhe se alternativa tjetër, në rast të mosbërjes së qeverisë, janë zgjedhjet e reja.
Ai u shpreh se “ka shumë inat e xhelozi” dhe se “është intoksuar atmosfera”.
Kurti u ankua edhe se Nisma kërkoi shumë derisa në Kuvend ka vetëm tre deputetë.
“Me partinë Guxo, që i ka gjashtë deputetë, ne jemi marrë vesh me i pasë dy ministra. Unë kam qenë i gatshëm që Nismës me tre deputetë me ia dhënë një ministër, nënkryetarin e Kuvendit..”.
“Nënkryetarin?”, tha i çuditur me ofertën e Kurtit një bashkatdhetar.
“Vetëm pak”, reagoi Kurti.
“Po të ishte bërë Albulena Haxhiu kryetare e Kuvendit, Fatmir Limaj ka mundur të bëhej nënkryetar Kuvendi. Se duhet që kryetari dhe nënkryetari me qenë të gjinive të ndryshme. Paramendoje këtë situatë ku Albulena Haxhiu bëhet kryetare e Kuvendit, Fatmir Limaj bëhet nënkryetar i Kuvendit se i ka pasë pesëfish vota më pak se Albulena, e kish marrë një ministri dhe dy zëvendësministra”.
“Tepër”, shtoi një tjetër nga audienca.
“Katër pozita të nalta me tre deputetë. Qekjo është racionale. Maksimumi ku mund të shkojmë. Ama, ‘ama ti mu se ta kom gjet unë ditën’, faleminderit po..”, e përfundoi Kurti derisa u duartrokit.

Kurti në këtë fjalim u ankua edhe për mandatin e tij “që s’po përfundon”, ndërsa tha se përfundon më së largu të dielën.
