Nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu iu kthye termit të “klubit të stërvjetëruar politik” për kundërshtarët politikë, pasi ata nuk i shkuan në koalicion LVV-së dhe qeveria e prezantuar nga Albin Kurti sot dështoi të zgjidhej.
Ndërsa shefi i saj ishte më i butë sesa zakonisht në Kuvend, ku pavarësisht se s’u mor vesh me ta, ua kërkoi votën kundërshtarëve të tij, Haxhiu ka qenë mjaft e ashpër në Facebook.
“Fytyra të para, qeshje të njohura. Dita e sotme, 26 tetor 2025, ma kujtoi 25 marsin 2020. Atëherë të gjithë këta bashkë po na rrëzonin, sot nuk mundësuan ngritjen e Qeverisë së re. Asokohe rrëzonin Kurtin 1, sot pamundësuan Kurtin 3. Në Kuvend, Klubi i Stërvjetëruar Politik pamundësoi votimin e njeriut që populli e ka votuar më së shumti në historinë e Kosovës. Lista Serbe, si gjithnjë, pranë tyre”, shkroi ajo në një postim.
Ky dështim, sipas saj, do të jetë “i përkohshëm”.
“Natyrisht, kjo është shumë e përkohshme. Shpesh, të njëjtit kanë menduar se e kanë mposhtur përfundimisht VV-në e Albin Kurtin, por dihet ku jemi ne e ku janë ata. Do të kthehemi sërish, me popullin në krah dhe me parimet e pathyeshme. Ata që nuk marrin mbështetje nga populli, nuk mund të na shantazhojnë me numra. Më nuk ka terminale, ambasada apo tenderë në emër të votës. As populli i Kosovës, e as ne, nuk ua kemi borxh karrigen. Dhe për këtë, VV-në e Albin Kurtin nuk do ta thyeni asnjëherë”, shkroi ajo.
“Matematikat e tyre nuk do të mund ta mposhtin vullnetin tonë politik. Republika nuk do të punojë për grupet e interesit, por për qytetarët pa dallim. Beteja jonë për një Kosovë me dinjitet, pa krim e pa korrupsion, vazhdon. Edhe më fuqishëm”, shtoi Haxhiu.
