Hekuran Murati ka dhënë një interpretim pas dështimit të qeverisë së propozuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti,një ngjarje e paprecedentë në historinë parlamentare të Kosovës.
Deputeti i LVV-së foli për “xhelozi” dhe “inate politike”, duke theksuar se partitë e tjera po e bllokojnë formimin e qeverisë, pasi nuk duan të qeverisin me Kurtin, pavarësisht se më herët ishin të sigurt se do të arrinin shumicën e nevojshme në Kuvend.
“Ka një kohë të gjatë, prej datës 9 shkurt e deri më tani, dhe kryesisht me zvarritje dhe bllokada të shkaktuara, gjë që e pamë edhe sot që u materializua në formë të inatit dhe xhelozisë politike ku partitë opozitare vendosin të barrikadohen dhe e konsiderojnë më të vlefshme të pengojnë fituesin e zgjedhjeve të qeverisë me vendin, sesa të vendosin interesin shtetëror përpara”, tha Murati.
Ai sqaroi gjithashtu deklaratën e Kryeministrit Kurti “më testoni”.
“Ka thënë kryeministri më testoni sepse akuza ka qenë që kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje po e zvarrisin Kuvendin”, tha Murati.
“Në këtë kontekst, kryeministri Kurti i ka sfiduar. U ka thënë ‘më testoni, nëse mendoni që nuk i kam numrat, kryejeni Kuvendin dhe arrini qëllimin që po dëshironi ta arrini, por unë nuk do të jem bllokuesi’”, shtoi ai.
Megjithatë, Kurti kishte theksuar më parë se “i kemi votat” dhe se “posa të konstituohet Kuvendi e zgjedhim qeverinë e re”.
