Në Junik është arritur një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Sipas njoftimit të bërë publik nga kryetari i degës së AAK-së në Junik, Leonard Llolluni, kjo marrëveshje është rezultat i vullnetit të përbashkët për të bashkuar forcat politike “në dobi të qytetarëve”, me qëllim të krijimit të një qeverisjeje lokale stabile, transparente dhe të përgjegjshme.
“Ne jemi zotuar që, pas fitores në balotazh, të punojmë për zhvillimin ekonomik të Junikut, përkrahjen e bujqësisë, përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e institucioneve komunale, duke vendosur interesin e qytetarëve mbi çdo interes partiak”, ka deklaruar Llolluni.
Ai ka shtuar se kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një kulture të re bashkëpunimi politik në komunë, duke theksuar se bashkimi i forcave bëhet për të mirën e përbashkët të qytetarëve të Junikut.
“Marrëveshja dëshmon se kur ka vullnet dhe vizion të përbashkët, bashkëpunimi politik mund të sjellë rezultate konkrete për zhvillimin dhe mirëqenien e Junikasve,” ka përfunduar Llolluni.
