Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi, e ka hapur fushatën zgjedhore në Krushën e Madhe, në praninë e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Latifi ka thënë se nuk është rastësi që fushata u hap pikërisht në Krushën e Madhe, të cilën e quajti “simbol i sakrificës dhe fshat i njerëzve punëtorë e bujarë, që i dhanë shumë Kosovës dhe Rahovecit”.
“Po bëhemi bashkë rreth konceptit të punës, rezultateve dhe angazhimit të pandalshëm. Ne kemi qenë dhe do të jemi adresë për të gjithë qytetarët e Rahovecit, pa marrë parasysh bindjet e orientimet e tyre politike. Jemi të lumtur të shërbejmë e të bashkojmë të gjithë qytetarët në një ide e në një program,” u shpreh Latifi.
Ai ka falënderuar banorët për pritjen dhe përkrahjen, duke theksuar se Aleanca është e përkushtuar për zhvillim, unitet dhe vazhdimësi të punës në Rahovec.
