Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, ka bërë një thirrje drejtuar qytetarëve të Gjilanit pak ditë para balotazhit të 9 nëntorit, duke theksuar rëndësinë e çdo vote dhe nevojën për ndryshim.
Në një adresim publik, Ismajli ka thënë se Gjilani është para një vendimi të madh dhe se vota e qytetarëve ka vlerë të veçantë për një të ardhme më të mirë, më të drejtë dhe më të zhvilluar.
“Jemi në ditët e fundit para një vendimi të madh për qytetin tonë. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për zërin dhe votën tuaj. Vota juaj është për një Gjilan më të mirë. Ju kërkoj falje atyre që s’i kam arritur t’i takoj, por ju premtoj që do të qeverisim bashkë, sepse motoja ime ka qenë dhe mbetet bashkëqeverisja me qytetarët,” ka theksuar ai.
Ismajli ka kritikuar kundërshtarët politikë, duke i cilësuar si përfaqësues të “premtimeve boshe të vitit 2021” dhe ka theksuar se qytetarët nuk duhet të bien pre e manipulimeve dhe shantazheve.
“Janë të njëjtit njerëz që i kemi provuar tash e katër vite. Mos u mashtroni nga ata që nuk punojnë, por që dinë vetëm të linçojnë e të shantazhojnë. Gjilani nuk ka nevojë për kërcënime, por për dinjitet, drejtësi dhe mundësi të barabarta për të gjithë,” ka deklaruar kandidati i LDK-së.
Në fund, ai ka bërë thirrje për dalje masive në zgjedhje më 9 nëntor:
“Mos i lini të tjerët të vendosin për ju. Dilni dhe votoni për numrin 113, për LDK-në dhe për mua si kandidat. Votoni për një qeverisje që punon me zemër, për një Gjilan të ri të bashkuar dhe të zhvilluar, që do të na bëjë krenarë të gjithëve.”
Arbër Ismajli ka theksuar se ndryshimi është i domosdoshëm dhe se LDK ofron një alternativë të ndershme dhe transparente për qytetin e Gjilanit.
