Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në raste të ndara në Prishtinë, nën dyshimin për armëmbajtje pa leje.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti i parë është raportuar në orët e para të mëngjesit, rreth orës 00:22 të datës 04 nëntor 2025, kur një person kishte ekspozuar një armë zjarri. I dyshuari është arrestuar menjëherë, ndërsa arma është konfiskuar nga njësitë policore, transmeton KosovaPress.
Ndërkaq, rasti i dytë ka ndodhur po të njëjtën ditë, rreth orës 14:10, kur gjatë një kontrolli rutinë, policia ka gjetur në çantën e një personi një armë-pistoletë me shtatë fishekë. Edhe në këtë rast, arma është konfiskuar dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është e përkushtuar të vazhdojë aksionet për parandalimin e mbajtjes dhe përdorimit të armëve pa leje, në mënyrë që të sigurohet rendi dhe siguria publike në vend.
