Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, ka zhvilluar një takim emocionues me luftëtarët e lirisë, në oden e komandantit Shefket Musliu, ku ka marrë mbështetje të fuqishme për balotazhin e së dielës.
“Atmosferë fantastike me njerëz të jashtëzakonshëm. Sonte pata nderin të jem në oden e komandantit Shefket Musliu, në mesin e luftëtarëve të lirisë, ushtarëve të UÇK-së dhe UÇPMB-së, që mbeten simbol i krenarisë dhe dinjitetit tonë kombëtar. Nga zemra i falënderoj për mikpritjen, respektin dhe mbështetjen e fuqishme që më dhanë për balotazhin e së dielës. Kjo përkrahje ka peshë të madhe për mua, sepse vjen nga njerëz që sakrifikuan gjithçka për këtë vend”, ka deklaruar Ismajli.
Ai ka shtuar se do të jetë gjithmonë pranë tyre dhe se bashkë me qytetarët e Gjilanit do të ndërtojnë një të ardhme më të drejtë, më të bashkuar dhe më zhvillimore.
“Luftëtarët e lirisë do të kenë gjithmonë vend nderi në zemrën tonë dhe në bashkëqeverisjen tonë të ardhshme me ta”, ka përfunduar Ismajli.
