Në 27-vjetorin e rënies heroike të heronjve Xhelal Hajda – Toni, Selajdin Mullabazi – Mici, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Imeri, kandidati i AAK-së për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të mbajtur në Kullën e Heronjve në Opterushë, ku mbajti një fjalim të ngrohtë përkujtimor për dëshmorët e kombit.
Në fjalën e tij, Latifi theksoi se lavdia dhe shkëlqimi i dëshmorëve mbeten të përjetshme, pavarësisht viteve që kalojnë. Ai kujtoi përballjen e heronjve me forcat serbe më 6 nëntor 1998, duke theksuar se “vdekja nuk ishte fjala e tyre e fundit, sepse ata lanë pas namin, lavdinë dhe gjurmët e burrërisë drejt lirisë së kombit”.
“Luftëtarët e lirisë dhe të rënët në fushëbeteja janë ndërgjegje kombëtare, janë amanet që na fton të punojmë e përpiqemi fort për arritjen e synimit madhor – bashkimin e kombit”, u shpreh Latifi, duke shtuar se familjet e dëshmorëve mbeten simbol i qëndresës, dhimbjes dhe krenarisë shqiptare.
Në fund të fjalës së tij, ai theksoi përkushtimin për të punuar pa u ndalur për të jetësuar idealet e luftëtarëve të lirisë.
“Lavdi e nderim Tonit, Micit, Bekteshit, Nezirit e Hamdiut! Lavdi të gjithë të rënëve për liri e bashkim!” – përfundoi Smajl Latifi.
