Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë një thirrje për mobilizim të strukturave dhe mbështetësve të partisë në prag të zgjedhjeve lokale, duke e cilësuar ditën e nesërme si “ditën e PDK-së”.
Në një postim në rrjete sociale, Krasniqi ka theksuar se “nesër është dita kur çdo qytetar, me votën e tij, do të përcaktojë fitoren tonë – si fitore për qytetin e tij”.
Ai ka përmendur disa nga komunat ku PDK garon me kandidatë për kryetarë, duke u shprehur se “vetëm 24 orë na ndajnë nga Prizreni që punon, nga Mitrovica që beson, nga Vushtrria që ec përpara, nga Kaçaniku që nuk thyhet, nga Klina e Dragashi që nuk dorëzohen”.
Krasniqi ka bërë thirrje për votë për kandidatët e PDK-së, duke përmendur Shaqën, Arianin, Feritin, Sabedinin, Sokolin dhe Shabanin, të cilët, siç tha ai, “çdo ditë dëshmojnë se lidershipi është shërbim, jo privilegj”.
“Çdo votë është një hap më afër fitores. Kur t’i mbledhim të gjitha bashkë, do ta bëjmë dallimin dhe ndryshimin që kemi nevojë për katër vitet e ardhshme. Së bashku. Më mirë për qytetet tona. Më mirë për Kosovën,” përfundoi Krasniqi.
