Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri ka bërë thirrje që qytetarët e Mitrovicës ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës dhe në këtë mënyrë ai çoi mesazh që vota e tyre ta vendos fatin për komunën.
Ai ka folur edhe rreth dyshimeve sipas tij që ndodhën një natë më parë në këtë qytet.
“Mesazhi im është se sot është një ditë e rëndësishme për qytetarët dhe qytetin e Mitrovicës, sepse bashkërisht vendosim për qeverisjen tonë të ardhshme në katërvjeçarin e ardhshëm.
Ftoj të gjithë qytetarët të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit, dhe përmes votës të tregojmë fuqinë tonë dhe të vendosim për qeverisjen tonë të ardhshme në katërvjeçarin e ardhshëm”, tha ai pasi ka ushtruar të drejtën e votës.
Ai ka shtuar se “Në bazë të informatave që kam, sot gjithçka është duke shkuar në përputhje me rregullat dhe normat që duhet të ketë procesi i votimit. Ndërsa mbrëmë ka pasur lëvizje të dyshimta të disa veturave — një numër i madh veturash me targa ‘01’, pjesa dërrmuese, mirëpo organet kompetente janë njoftuar dhe besoj se ato janë duke e bërë punën e tyre”.
Arian Tahiri është në garë me Faton Pecin nga Lista Guxo.
