Hajvalia ka marrë sot një frymë të re sportive me inaugurimin e stadiumit të ri të klubit të futbollit KF Prishtina e Re. Projekti u bë realitet falë bashkëpunimit të ngushtë mes Komunës së Prishtinës, Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe vetë klubit.
Stadiumi i ri do të shërbejë si shtëpia e re e skuadrës dhe një hapësirë e rëndësishme për zhvillimin e gjeneratave të reja të futbollit në këtë lokalitet.
Nga klubi u shpreh mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij projekti, me theks të veçantë për kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, presidentin e FFK-së, Agim Ademi, presidentin e klubit, Rrustem Pacolli, ish-drejtorin sportiv, Sami Boroci, si dhe asamblistin nga Hajvalia, Bekim Gashi, për rolin e tyre të veçantë në ndërtimin e kësaj fushe futbolli.
Ky investim shënon një hap të rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës sportive në kryeqytet dhe për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit vendor.
