DTV MEDIA
  • Ballina
  • Lajme
  • Sport
  • Showbiz
  • Botë
  • Opinione
  • TV
  • Mish Mash
  • Konkurs
  • Zgjedhjet2025
No Result
View All Result
DTV MEDIA
  • Ballina
  • Lajme
  • Sport
  • Showbiz
  • Botë
  • Opinione
  • TV
  • Mish Mash
  • Konkurs
  • Zgjedhjet2025
No Result
View All Result
DTV MEDIA
No Result
View All Result

Christopher Hill dëshmohet në Hagë, e mbron nga Prokuroria UÇK-në dhe Thaçin

12 Nëntor 2025
A A
Hill: SHBA asnjëherë s’e cilësoi UÇK-në si organizatë terroriste
Share on FacebookShare on Twitter

Nuk kishte shumë vjet që Christopher Hill ishte bërë anëtar i Shërbimit të Lartë Diplomatik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur atij iu besua një detyrë shumë e vështirë. Washingtoni e kishte emëruar të dërguar të posaçëm në negociatat që sollën përfundimin e luftës në Kosovë, dhe pragmatizmi i tij, siç e tha vetë, fillimisht do t’i zhgënjente njerëzit në këtë vend të vogël ballkanik.

27 vjet më vonë, ai shkoi këtë javë në Hagë, për të dëshmuar në mbrojtje të Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale në rastin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë kohës kur diplomati amerikan angazhohej për një marrëveshje që do ta ndalte luftën.

Diplomati i karrierës e nisi dëshminë e tij të hënën dhe e përfundoi sot. Me të, për tre ditë në sallën e gjyqit ishte edhe një zyrtare e qeverisë amerikane, e cila u prezantua si zëvendëssekretare ligjore e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Hagë.

Amerikani tha se për Kosovën kishte dëgjuar shumë gjatë kohës kur shërbente në ambasadën amerikane në Tiranë. Ky vend ku më pas do të shpërthente lufta, do t’i bëhej atij detyrë dhe me të do të merrej në Këshillin e Sigurisë së SHBA-së edhe pas ndaljes së luftës dhe çlirimit të vendit, siç tregoi vetë.

Në maj të vitit 1998, kur ai e mori detyrën e vështirë, u takua me Ibrahim Rugovën, udhëheqësin e shqiptarëve, për të cilin tha se nuk kërkonte asgjë më pak sesa pavarësi.

Edhe me njerëzit e UÇK-së me të cilët kishte biseduar, tha se “atë që ata dëshironin ta realizonin ishte pavarësia dhe që ne t’u ndihmonim”.

Rambujeja, shqiptarët u bashkuan dhe rrëzuan pretendimet e Millosheviqit

Duke përmendur ndarjen që ekzistonte mes përfaqësuesve të UÇK-së dhe atyre të LDK-së, Hill shtoi se të dyja palët “ishin të interesuara për të njëjtin rezultat”, por në partinë e Rugovës “ishin më të arsyeshëm për mënyrën se si do ta arrinin këtë objektiv”.

Në negociatat për paqe në Rambuje, Hill tha se Thaçi nuk pranonte asnjë propozim “i cili nuk e kishte fjalën pavarësi në terma të qartë”.

“Ai tha se po të kthehej në Kosovë duke e pranuar propozimin që nuk përfshinte pavarësinë e Kosovës, ai do të vritej”, tha Hill.

Diplomati amerikan tha se gjatë negociatave të vitit ’99, udhëheqësi i Serbisë në atë kohë, Sllobodan Millosheviq “kishte thënë që shqiptarët nuk do të pajtohen, nuk do të bien dakord asnjëherë për asgjë”, por shtoi se Marrëveshja e nënshkruar më pas nga pala shqiptare “rrëzonte pikëpamjen e tij”.

Millosheviqit, tha ai, i ishte dhënë mesazhi i qartë: “kjo do të ndodhë, kështu që ju do të ishte mirë të bëheshit pjesë e procesit”.

“Ne po i thonim Milloshevqit që ai e kishe gabim. Ja, e arritëm marrëveshjen, por t’i do të bësh mirë që të mendosh se cila do të jetë lëvizja e radhës e Serbisë”, tha Hill, të cilit Millosheviqi ia kishte mbyllur derën diplomatit amerikan, kur ky për herë të fundit donte të provonte t’ia merrte një “po” për Marrëveshjen.

Pas shumë muajsh, Hill e përshkroi si arritje të madhe faktin që shqiptarët, përkundër pretendimeve të Millosheviqit, u bënë “të gjithë bashkë” në tavolinë në kështjellën e Rambujesë.

“Isha shumë i kënaqur nga fakti që persona që nuk ishin ulur në një tryezë të përbashkët, nuk kishin pasur të njëjtin mendim, të njëjtën qasje më përpara, në atë moment ishin në një mendje, ishin bashkë. Pra, ishin persona që për shkaqe politike ose për shkak të mendimeve që kishin për Rugovën nuk ndanin të njëjtat qasje. Megjithatë në Rambuje ishin të gjithë bashkë. Dhe pas 9 muajsh isha i kënaqur, megjithëse nuk kishim një foshnje, figurativisht, në duar, për ne ishte një arritje e madhe. Por nga ana tjetër, ne kishim edhe një ndjenjë melankolie, sepse Serbia nuk ishte aty dhe ishim në një pikë shumë të rëndësishme historie”.

Hill tha se Millosheviqi shqetësohej se SHBA-ja në një moment po largohej nga Rugova dhe po anonte kah UÇK-ja. Megjithatë, shtoi se “Rugova asnjëherë nuk kërkoi më pak se pavarësia”.

Askush s’kishte akuza ndaj Thaçit për krime, “përveç Millosheviqit”

Negociatori i atëhershëm amerikan tregoi për takimet e tij me Millosheviqin dhe mënyrën se si ai e përshkruante Thaçin si njeri të përfshirë në tortura e abuzime me njerëz.

Diplomati i shquar nuk u besonte fjalëve të udhëheqësit serb, pasi tha se askush tjetër nuk e thoshte të njëjtën.

“Jo vetëm që unë vlerësova që Thaçi nuk ishte ai person që e përshkruante Millosheviqi, por nuk e kisha dëgjuar këtë gjë nga askush dhe mendoj se është e rëndësishme që të kuptohet e gjitha, sepse gjatë gjithë asaj kohe unë kam qenë në kontakt me presidentin Ibrahim Rugova, dhe ai kishte mundësi të shumta t’i denonconte njerëzit me emër, por nuk e ka bërë”, tha Hill.

Ai kishte kuptuar se në atë mënyrë, Millosheviqi po përpiqej që ta bindte SHBA-në që të mos bashkëpunonte me UÇK-në.

“Ky qëndrim i Millosheviqit, që ai e kishte, që ata kishin, ishte qëndrimi i tij se shqiptarët nuk mund të mblidhen kurrë së bashku dhe të bienin dakord për asgjë. Ishte më shumë një lloj ofendimi, sharje mbi baza etnike sesa vlerësim i të dhënave apo informacioneve”, tha ai.

Kësisoj, ai shtoi se preferoi ta mbante vlerësimin e vet.

Një prokuror e pyeti nëse Rugova i kishte folur atij për kërcënime, sulme apo krime të UÇK-së.

“Jo, nuk më kujtohet asnjë gjë që të më ketë thënë Rugova lidhur me këtë”, tha ai.

Kur ishte takuar me Thaçin, Hill tha se nuk u ndje sikur ishte në praninë e një vrasësi.

Ai tha se nuk ka arsye të besojë “që ai të ketë urdhëruar aktivitete të paligjshme”.

S’kishte hierarki në UÇK

Në gjyqin ku po vazhdojnë përpjekjet për të gjetur se në UÇK kishte një strukturë me hierarki komanduese, Hill i rrëzoi këto pretendime të prokurorëve. Ai tha se nuk besonte se ekzistonte ndonjë shtab.

“Unë mendoj se më shumë ishin përpjekje që ekziston një ushtri me hierarkinë vërtikale dhe ishte thjesht një përpjekje nga ana e tyre, një orvatje për të na treguar se ne kemi struktura normale politike e ushtarake dhe se ne duhej t’i merrnim seriozisht”, tha ai.

Për muaj të tërë, Hill tha se kërkuan njerëz me autoritet që mund të flisnin në emër të UÇK-së. Këtë, tha se e bënë duke shkuar edhe fizikisht nëpër zonat e luftës.

“Ne nuk e dinim kush fliste në emër të UÇK-së”, tha ai, duke shtuar se për ta, kjo ishte “frustruese”.

UÇK-ja, tha Hill, “nuk ishin një grup personash i organizuar mirë që të kishin hierarki komanduese dhe përgjegjësi komanduese të mira”.

“Kjo ishte përshtypja jonë gjatë gjithë kohës. Dhe fakti që nuk mund ta gjenim një person që të fliste në emër të të tjerëve, në fakt i konfirmonte dyshimet tona”, tha ai duke iu përgjigjur pyetjeve të gjykatësve.

Përveçse në Kosovë, Hill tha se kërkuan edhe Shqipëri një person që do të fliste në emër të UÇK-së. E përmendi Xhavit Halitin, për të cilin tha se disa në Washington e mendonin si drejtuesin e kësaj ushtrie guerile.

“Emrin e kishte Zeka? Xhavit Haliti, po. Menduam se mund të ishte ai personi. Sepse disa persona në qeverinë amerikane thonin që ky është personi që drejton, që kryen funksione të caktuara apo që siguron armë. Në bisedat me të ai nuk na tregoi shumë dhe unë fillova të dyshojë se mbase ai po fsheh diçka, por asgjë s’mu konfirmua asnjëherë”, tha Hill.

Ai tha se takimi me Halitin i çoi në përfundimin se “nuk ekzistonte një udhëheqje e tillë”.

Hill përsëriti disa herë gjatë dëshmisë së tij treditore se nuk e dinin kush fliste në emër të UÇK-së.

“Kishte shumë persona që prezantoheshin si persona që flisnin në emër të UÇK-së. Problemi ynë ishte që nuk kishim një pikë kontakti të konfirmuar që mund të komunikonim për të ardhmen”, tha ai.

Lidhur me komunikatat që lëshoheshin nga UÇK-ja, Hill tha se nuk mund t’i përdornin si bazë për “të përcaktuar strukturë vertikale organizative të UÇK-së”.

“Nuk kam informacion lidhur me sistemin e raportimit brenda UÇK-së. Sigurisht që Shtetet e Bashkuara kishin mundësi ose aftësi që të gjenin strukturat e UÇK-së. Unë personalisht nuk kam informacion sa i takon sistemit të brendshëm të UÇK-së”.

Adem Demaçin, veprimtarin që udhëhiqte një zyrë të UÇK-së, diplomati amerikan e përshkroi si “një person që kishte ndikim” por “shumë të vështirë”, me të cilin nuk mund të bashkëpunohej.

“Ai nuk ishte një person me të cilin mund të bashkëpunoje, të punoje në një dokument. Kishte opinione shumë të forta. Por, në aspektin e bashkëpunimit ishte i vështirë dhe ne nuk ishim të interesuar ta promovonim atë si person”, tha ai.

Christopher Hill ka përmbyllur mandatin e tij si Ambasador i SHBA’ve në Beograd në fillim të janarit të këtij viti, një vend që e kishte njohur në fëmijëri, kur babai i tij punonte si diplomat në Jugosllavinë e Titos. Vite më vonë, veprimet e Hill, si emisar i SHBA’së në konfliktin mes Kosovë e Serbisë, kishin nxitur bombardimin e Serbisë nga SHBA dhe Perëndimi, pasi Beogradi s’i kishte pranuar akordet e Rambujesë, ndërsa pala kosovare po.

Hill ishte rikthyer në Beograd më 2021 pasi ish- Presidenti Joe Biden e kishte parë atë të nevojshëm në pozitën e Ambasadorit në Serbi, një shtet që ende luhatet mes Perëndimit e Rusisë.

Në dëshminë e tij në Senat, diplomati që në dekadat e kaluara kishte kaluar kohë duke negociuar drafte autonomie për Kosovën, kishte deklaruar se Serbia duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën dhe mënyra e vetme për Serbinë që ta hapë rrugën e saj evropiane është që dialogu të përfundojë me njohje reciproke.

“Më e rëndësishmja — dhe një parakusht për pranimin përfundimtar në BE — Serbia duhet t’i normalizojë marrëdhënit me Kosovën. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE si shansi më i mirë për të dyja palët për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura. Siç deklaroi Presidenti Biden, Shtetet e Bashkuara besojnë ” njohja e ndërsjellë” është mënyra më e mirë për të zhbllokuar potencialin evropian të Serbisë dhe për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Nëse konfirmohem, unë do ta inkurajoj Serbinë të angazhohet seriozisht dhe urgjentisht për të arritur një kompromis”, kishte theksuar ai.

Muaj më vonë teksa Hill përmbushte misionin e tij në Beograd, Kosova dhe Serbia zhvillonin bisedime në Bruksel.

Jo, rrallë, Hill ka kritikuar Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për qasjen në bisedime duke vënë në pikëpyetje partneritetin e SHBA’së me të.

Kjo qasje ka nxitur reagime të shumta ndaj Hill ndër përkrahësit e Kurtit. Diplomati  që nuk ka hezituar ta shfaq pragmatizmin e tij në misionin e fundit diplomatik mund ta ketë irrituar dikë, por Hill në Hagë dëshmoi dhe u dëshmua duke e mbrojtur UCK’në dhe të akuzuarit atje, duke e bërë saktësisht atë që e kishte bërë gjatë shtatorit një diplomat tjetër amerikan mik i Kosovës, James Rubin.

KATEGORITË

  • Botë (1 150)
  • Drejtësi (1)
  • Ekonomi (5)
  • Konkurs (2)
  • Lajme (13 966)
  • Mish Mash (1)
  • Mish Mash (1)
  • Opinione (11)
  • rajon (4)
  • Showbiz (69)
  • Sport (141)
  • TV (56)
  • Vendore (80)
  • Zgjedhjet 2025 (973)
  • Rreth nesh
  • Reklama
  • Privatësia dhe Politika
  • Contact

DTV MEDIA © 2025 Të gjithat e drejtat e rezervuara. | Developed by: Nestcheap.com

No Result
View All Result
  • Ballina
  • Lajme
  • Sport
  • Showbiz
  • Botë
  • Opinione
  • TV
  • Mish Mash
  • Konkurs
  • Zgjedhjet

DTV MEDIA © 2025 Të gjithat e drejtat e rezervuara. | Developed by: Nestcheap.com