Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga kryediplomati gjerman, Johann Wadephul, përkrahje për heqjen e masave që Bashkimi Evropian i ka vendosur ndaj Kosovës qysh në qershorin e vitit 2023.
Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Osmani ka theksuar se heqja e këtyre masave është një urgjencë e domosdoshme.
“Heqja sa më parë dhe sa më e shpejt e masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat janë në fuqi nga qershori 2023 dhe ndikojnë shumë negativisht në jetën e qytetarëve tanë, është një urgjencë e domosdoshme, për çka shpresojmë në përkrahjen e Gjermanisë”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja ka shtuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë dhe ndaj një dialogu të barabartë e të drejtë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Përderisa Kosova mbetet nën masa të vetë BE-së, as dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja nuk mund të konsiderohet i balancuar, parimor apo i barabartë”, ka thënë ajo.
Mbështetjen e Gjermanisë, që e quajti shtet aleat dhe historik, Osmani e ka kërkuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO dhe Këshillin e Evropës, duke theksuar se vendi synon të hyjë si kontributdhënëse dhe jo si barrë.
“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj orientimit të saj strategjik, anëtarësimi në NATO, BE, Këshillin e Evropës dhe në çdo organizatë ndërkombëtare që forcon pozitën ndërkombëtare të vendit tonë, sepse si shtet gjithnjë kemi mbrojtur vlerat mbi të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë këto organizata. Në gjithë këta mekanizma ndërkombëtare ne synojmë të hyjmë si kontributdhënës, jo si barrë. Në këtë rrugëtim, Kosova ka nevojë për mbështetjen e vendosur të Gjermanisë, prandaj heqja sa më parë dhe sa më e shpejt e masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat janë në fuqi nga qershori 2023 dhe ndikojnë shumë negativisht në jetën e qytetarëve tanë, është një urgjencë e domosdoshme, për çka shpresojmë në përkrahjen e Gjermanisë”, deklaroi ajo.
Osmani ka theksuar gjithashtu se Bashkimi Evropian mbetet i paplotë pa anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor dhe shpreson që aplikacioni i Kosovës për anëtarësim të procedohet nga Komisioni Evropian, për t’i hapur rrugë anëtarësimit final.
“Vizita juaj në Kosovë si stacioni i radhës në udhëtimin tuaj në Ballkanin Perëndimor është një dëshmi e qasjes tuaj dhe qeverisë së udhëhequr nga kancelari Merz se Bashkimi Evropian mbetet i paplotë pa anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor. Ky vizion strategjik është i një rëndësie historike si për rajonin tonë, ashtu edhe për paqen në gjithë kontinentin evropian. Republika Federale e Gjermanisë ka qenë dhe do të mbetet një aleat historik dhe tradicional i popullit të Kosovës. Ka qëndruar me ne në momentet më të vështira në arritjen e lirisë dhe pavarësisë, në rindërtim, shtetndërtim dhe konsolidim. Prandaj populli i Kosovës e sheh Gjermaninë si mikun më të afërt dhe aleatin më të besueshëm në kontinentin evropian”, deklaroi presidentja Osmani.
