Ndërsa kanë mbetur vetëm pak orë deri në përfundimin e afatit për seancën ku pritet të hidhet në votim mandatari i dytë për Kryeministër, Glauk Konjufca, Partia Demokratike e Kosovës mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për të mos e mbështetur propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje .
Edhe nga LVV është konfirmuar se nuk ka lëvizje sa i përket bashkëpunimeve të mundshme me PDK-në. Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, tha se qëndrimet e subjektit janë të qarta dhe të pandryshuara.
“Sa i përket koalicioneve dhe bashkëpunimeve, tashmë LVV e ka bërë të qartë pozicionin e saj. Nuk ka koalicion me PDK-në”, deklaroi Manxhuka.
Ai kujtoi se pas mosvotimit të mandatit të parë për Albin Kurtin, LVV ka propozuar Glauk Konjufcën si mandatar të dytë, me qëllim që të shmangen bllokadat institucionale dhe pasojat që mund të shkaktohen nga mungesa e një qeverie funksionale.
“Pas mosvotimit të Qeverisë me mandatar Albin Kurtin, LVV, me qëllim që të shmangë sfidat që na presin përpara – si buxheti i vendit, buxheti për RTK, buxheti për disa komuna, pakoja e zgjerimit të BE-së dhe evitimi i dy palë zgjedhjeve – propozoi edhe mandatarin e dytë, Glauk Konjufcën”, shtoi ai.
Manxhuka theksoi se seanca do të mbahet dhe se deputetët tashmë e kanë në dorë shmangien e krizës së re politike.
“Po, seancë do të ketë. Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mundësinë reale që t’i shmangin këto çështje që e presin vendin tonë përpara. Nëse nuk do të ketë racionalitet karshi këtyre sfidave, atëherë zgjedhjet mbeten opsioni i vetëm”, u shpreh ai.
