Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar me një deklaratë të ashpër ndaj kritikave të fundit të adresuara në drejtim të tij dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke theksuar se partia e tij gëzon legjitimitet të plotë dhe mbështetje të qytetarëve.
“Prishtina e ka Kryetarin. LDK e ka Kryetarin. Dhe shumë shpejt, Kosova do ta ketë edhe Kryeministrin e saj, Lumir Abdixhikun,” deklaroi Rama, duke iu drejtuar kundërshtarit politik Hekuran Murati.
Ai e akuzoi Muratin për tentativa për të krijuar tension dhe ndasi politike, por theksoi se LDK nuk bie në këtë lojë.
“Sa herë përpiqeni të krijoni përçarje mes nesh, thjesht e bëni më të qartë dallimin në kulturë politike. Ne ju shohim, ju lexojmë, por nuk biem në nivelin tuaj. Thjesht vazhdojmë punën dhe fitojmë. Siç e fituam Kryeqytetin dy herë,” tha ai.
Rama gjithashtu nënvizoi se besimi i qytetarëve është ai që e udhëheq punën e tij dhe të LDK-së, ndërsa kundërshtarit të tij politik i kujtoi përballjen me drejtësinë.
“Ne e kemi besimin e qytetarëve. Ajo që keni ju është një kallëzim penal dhe një lëndë në Kushtetuese për një bllokim të pajustifikueshëm të Kryeqytetit, për të cilin keni me dhënë përgjegjësi, sot apo nesër!”, theksoi ai.
