Pas problemeve teknike, gjyqtarja Fatime Dërmaku ka propozuar qe të ndërpritet seanca në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 12 dhjetor.
Ne shqyrtimin gjyqësor, ku ishte paraparë shfaqja e sekuencave nga shtëpia e Naim Murselit, për shkak të materialeve të shumta, nuk kanë arritur që të njëjtat të transmetohen para trupit gjykues.
Me këtë propozim është pajtuar prokurorja Javorka Perlinçeviq, e cila tha se nuk është bërë selektim i pamjeve, me qëllim që të mos nxiten dyshime për fshehje nga ana e palës mbrojtëse.
Trupi gjykues ka vendosur që seanca të ndërpritet dhe seanca e radhës të mbahet me datën 12 dhjetor.
Paraprakisht është mbajtur një pauzë deri në orën 13:10, për shkak të problemeve të natyrës së njëjtë teknike.
Në gjykatore kanë qenë të pranishëm të akuzuarit, Naim Murseli, Kushtrim Kokalla e Granit Plava.
Po ashtu, i pranishëm ka qenë edhe vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi dhe avokati mbrojtës, Leutrim Syla.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023, në Bërnicë të Prishtinës. Në mesin e të dyshuarve është edhe ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Dyshohet se ai i kishte premtuar Granit Plavës, 30 mijë euro për ta kryer krimin e rëndë, ndërsa, i arrestuari tjetër për këtë rast është edhe Kushtrim Kokalla.
