Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Komunale “Trafiku Urban” dhe të transportit publiko-privat, kanë protestuar sot para komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që t’u kthehet borxhi që ka komuna ndaj ndërmarrjes, pasi që shkak i këtij borxhi nga sot nuk do të ketë qarkullim të transportit publik.
Protestës iu bashkua edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, i cili i dërgoi protestuesit para Qeverisë duke kërkuar një takim emergjent me kryeministrin në detyrë Albin Kurtin dhe ministrin e Financave në detyrë, Hekuran Muratin.
Kryetari i sindikatës së Trafikut Urban në Prishtinë, Ilmi Gashi u kërkoi falje qytetarëve që nuk po munden që t’ua sigurojnë transportin publik.
Gashi dha arsyen se ndërmarrja ka borxh 1 milionë euro kompanive për derivate dhe të njëjtës iu është bllokua mbushja e derivateve. Ndërsa, komuna e Prishtinës ka borxh 3 milionë e 200 mijë euro ndërmarrjes.
Tutje, kryetari i sindikatës tha se kjo nuk është çështje politike por e mbijetesës së Trafikut Urban ndaj qytetarëve të Prishtinës.
