Administrata e Donald Trump ka publikuar Strategjinë e Sigurisë Kombëtare për nëntorin 2025, e shoqëruar nga një letër hyrëse ku presidenti amerikan e përshkruan periudhën e tij në detyrë si “një rikthim të fuqishëm të Amerikës në skenën botërore”.
Dokumenti, i cili mbart tonin e një bilanci agresiv të arritjeve përfshin edhe një referencë të drejtpërdrejtë ndaj Kosovës në listën e konflikteve që, sipas Trump, administrata e tij i ka “zgjidhur brenda tetë muajve”.
Në mesin e çështjeve të shumta, janë edhe analizat se ku më parë, nën drejtimin e demokratëve, politika e jashtme amerikane shkoi në rrugë të humbur, apo analizat sipas rajoneve përkatëse, përfshi Evropën dhe Lindjen e Mesme.
Teksa, përmes një letre të nënshkruar nga vetë Trump, flitet për disa prej “sukseseve” të administratës amerikane në më pak se një vit drejtim të presidentit republikan.
“Nga kaosi në stabilitet” – narrativa e Trump
Presidenti amerikan shkruan se kur mori detyrën, SHBA-të – dhe bota – ndodheshin “në prag katastrofe”, por sipas tij, vendimet e shpejta të administratës ndryshuan trajektoren globale.
Ai liston një sërë veprimesh që variojnë nga “rivendosja e kufijve sovranë të SHBA-ve”, spastrimi i ushtrisë nga “ideologjitë radikale”, investime prej 1 trilion dollarësh në Pentagon, deri te rritja “historike” e buxheteve të mbrojtjes nga aleatët e NATO-s.
Në letër përmendet edhe “Operation Midnight Hammer”, operacioni që sipas Trump “shkatërroi kapacitetet bërthamore të Iranit” – një pretendim që pritet të hapë debat të gjerë ndërkombëtar.
Kosova në dokument: Trump thotë se ka “zgjidhur” krizën me Serbinë
Ndër konfliktet që administrata e tij pretendon se ka mbyllur gjatë muajve të parë të mandatit, Trump përfshin edhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.
Në letër thuhet se SHBA-të, gjatë periudhës prill-tetor 2025, kanë ndërmjetësuar një “marrëveshje stabilizimi” mes dy vendeve, duke e përfshirë atë në të njëjtën listë me konfliktet në Kongo-Rwanda, Pakistan-Indi, Egjipt-Etiopi, Armeni-Azerbajxhan dhe luftën në Gaza.
Megjithëse detajet e marrëveshjes së pretenduar Kosovë-Serbi nuk paraqiten në letër, vetë fakti që përmendet në një deklaratë presidenciale të një dokumenti strategjik e pozicionon çështjen si një nga pikat ku administrata e Trumpit kërkon të ndërtojë kapital politik ndërkombëtar.
Duke e vendosur Kosovën në të njëjtin grup me disa nga konfliktet më të vështira gjeopolitike, Trump synon të japë idenë e një presidenti që arrin marrëveshje të shpejta dhe dramatike – një narrativë që ai e ka kultivuar edhe gjatë mandatit të tij të parë.
“Amerika po sjell paqe”
Mesazhi kryesor i letrës është i qartë: SHBA-të, sipas Trump, janë rikthyer në rolin e tyre si aktori kryesor në rendin ndërkombëtar – dhe strategjia e re e sigurisë synon ta zgjasë këtë momentum.
“Do ta bëjmë Amerikën më të sigurt, më të pasur, më të lirë, më të madhe dhe më të fuqishme se kurrë më parë”.
DOKUMENTI