Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia, ka theksuar se Spitali i Prizrenit po kalon në një transformim të thellë falë investimeve të mëdha në aparaturë moderne, shërbime të avancuara dhe infrastrukturë bashkëkohore.
Sipas tij, janë realizuar dhe po realizohen investime të rëndësishme në disa sektorë kyç, përfshirë kardiologjinë invazive me angiografin e ri, rezonancën magnetike (MRI), pulmologjinë dhe shërbimin e ri për Sleep Apnea, si dhe në pediatri, interno dhe kujdes intensiv. Po ashtu, janë përmirësuar ndjeshëm emergjenca, radiologjia dhe blloku kirurgjik, ndërsa investime janë bërë edhe në hemodializë, transfuzion, patologji dhe pajisje moderne diagnostike e terapeutike.
Në kuadër të këtij transformimi është standardizuar edhe ndriçimi dhe infrastruktura e jashtme e spitalit. Vlera totale e investimeve për Spitalin e Prizrenit kap shifrën mbi 11 milionë euro.
Vitia ka falënderuar në mënyrë të veçantë mërgatën, miqtë ndërkombëtarë dhe profesionistët shëndetësorë për kontributin e tyre në këtë proces, duke theksuar se përmirësimi i shërbimeve shëndetësore mbetet prioritet i vazhdueshëm për qytetarët e Prizrenit dhe të gjithë Kosovës.
