Reshjet e fundit atmosferike kanë shkaktuar vërshime dhe vështirësi në qarkullim në disa komuna të Kosovës, ndërsa situata më e ndjeshme është regjistruar në Mitrovicë të Jugut, konkretisht në lagjen “2 Korriku”, njofton Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME).
Sipas raportit të përditësuar të AME-së për periudhën nga ora 22:00 deri në 08:00 të datës 11 janar 2026, në rajonin e Prishtinës janë raportuar vërshime në Qagllavicë, Shkabaj, Graçanicë dhe Obiliq, kryesisht si pasojë e kanalizimeve të bllokuara. Në Fushë Kosovë, rrugë dhe fshatra si Lismiri dhe Kuzmini janë përballur me përmbytje dhe bllokim të qarkullimit.
Në Drenas janë raportuar vërshime në disa lokale dhe oborre shtëpish, ndërsa në Ferizaj janë shënuar pesë raste vërshimesh në fshatra, ku është bërë edhe evakuimi i dy personave të moshuar në fshatin Tërrnë. Pompat e ujit janë aktive në të gjitha lokacionet e prekura.
Situata më serioze është shënuar në Mitrovicë të Jugut, ku pas rritjes së nivelit të lumit Sitnica është konstatuar rrezik real për dalje nga shtrati. Në orët e para të mëngjesit, u ndërmor një reagim parandalues nga AME, Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Policia dhe strukturat komunale. Rreth orës 03:27, u shënua rritje e nivelit të ujit për rreth 20 centimetra dhe depërtim në lagjen “2 Korriku”.
Operacioni ka përfunduar me sukses rreth orës 05:30, ku janë vendosur rreth 200 metra mur mbrojtës me thasë zalli. Në operacion kanë marrë pjesë AME, NJPZSH e Mitrovicës së Jugut dhe Shoqata e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës. Për shkak të rrezikut të mesëm, është kërkuar edhe angazhimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës për mbështetje parandaluese.
Në rajonet e Prizrenit, Gjakovës dhe shumicën e komunave tjera, gjendja raportohet e qetë dhe stabile, pa intervenime të reja. Megjithatë, në disa segmente rrugore qarkullimi mbetet i vështirësuar për shkak të ngricave dhe shembjes së dheut.
AME njofton se është në gatishmëri të plotë për mbështetje operative, ndërsa thekson se fillimi i reshjeve të borës në shumicën e komunave ka zbutur rrezikun nga vërshimet. Kujdesi për personat e evakuuar dhe monitorimi i situatës vazhdojnë.
