Deputeti i AAK’së, Besnik Tahiri, ka thënë se “Kosova humbi një vit, Kosova humbi për një vit të gjitha beneficionet që do të mund t’i kishte”, pas konstituimit të Kuvendit.
Ai ka drejtuar një pyetje për qytetarët: “Pyetja që sot ua shtroj secilit qytetar të Kosovës është pse nuk është konstituuar Kuvendi para një viti?”.
Tahiri theksoi se AAK-ja “edhe atëherë edhe tash ka qenë pro konstituimit të Kuvendit” dhe “ka dhënë alternativa dhe propozime për të mos ardhur deri në këtë ditë, deri në këtë situatë kur Kosova humbi dhe kur qytetarët e Kosovës i morën rezultatet dhe u dëmtuan skajshmërisht”.
Ai komentoi edhe votimin në paketë të nënkryetarëve të Kuvendit, përfshirë atë nga Lista Serbe, duke thënë se kjo “padyshim që krijoi një problem”.
Duke iu referuar Lëvizjes Vetëvendosje, Tahiri tha se ajo synoi votimin në paketë për të “kamufluar” votimin e Sllavko Simiqit.
“Mirëpo po ashtu u pa se kjo pako ishte një lloj synimi i kamuflimit të votimit për nënkryetarët. Në një kohë, Sllavko Simiqi, respektivisht deputeti i Listës Serbe, nuk është pranuar. Ai u quajt terrorist kur ishte vetëm, ndërsa kur hyri në pako u votua,” theksoi Tahiri.
Sonte pritet të mbahet një seancë e Kuvendit ku do të zgjidhet qeveria e re. Tahiri deklaroi se AAK-ja do të marrë pjesë dhe do të votojë kundër.
