Një rast i rëndë dhunimi është raportuar gjatë orëve të para të mëngjesit në Vushtrri, ku një grua ka kërkuar ndihmë nga qytetarët dhe më pas nga Policia, pasi dyshohet se ishte dhunuar seksualisht.
Ngjarja ka ndodhur në intervalin kohor 24–25 shkurt 2026, në rrugën “Ismail Qemali”, përkatësisht në zonën e njohur si “Rrethi i Flamurit”.
Siç mëson Sinjali, rreth orës 01:40, Policia është njoftuar se një femër, duke qarë, kishte dalë në rrugën nacionale në Vushtrri dhe kishte kërkuar që të thirrej Policia. Patrulla policore ka arritur në vendngjarje rreth orës 01:50.
Viktima V.V. rreth 28 vjeç ka deklaruar se ishte dhunuar seksualisht nga disa persona meshkuj. Ajo është dërguar menjëherë në repartin e emergjencës për ekzaminim dhe trajtim mjekësor.
Pas veprimeve fillestare hetimore, Policia ka arritur të lokalizojë dhe arrestojë dy persona të dyshuar në lokacione të ndryshme:
Eljesai Kovaqi rreth 24 vjeç dhe Bejtullah Llapashtica rreth 28 vjeç.
Në cilësinë e dëshmitarëve janë intervistuar edhe dy persona.
Pas intervistimit të palëve dhe konsultimit me Prokurorin Kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, ndaj dy të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Rasti është iniciuar si “Dhunim”, ndërsa hetimet po zhvillohen nga Njësia Rajonale e Hetimeve, në koordinim me Prokurorinë.
