Avokati njëherësh kandidati për deputet Asdren Bytyçi ka njoftur lidhur me vendimin e gjykatës supreme.
Gjykata Supreme ka vendosur në favor të ankesës së Koalicionit për familjen, duke rrëzuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili na kishte shqiptuar një gjobë prej 7,000 eurosh për deklaratat publike.
Në aktvendimin e saj, Gjykata ka konstatuar se shprehjet si “Turp ju qoftë”, “Mbrojtja e dinjitetit tonë njerëzor dhe vazhdimësisë së jetës, si dhe e ardhmja e fëmijëve tanë nga degjenerimi dhe prishja”, si dhe “Anomali sociale dhe dukuri degjeneruese”, nuk përbëjnë shkelje të rregullave zgjedhore dhe janë të mbrojtura nga liria e shprehjes.
Ky vendim vendos një standard të drejtë ligjor, duke konfirmuar se e drejta jonë për të shprehur qëndrimet tona mbetet e pacenueshme. Në këtë mënyrë, Gjykata Supreme ka dëshmuar se liria e fjalës është një vlerë themelore që duhet mbrojtur në çdo rrethanë është shprehur Bytyçi.
Kjo fitore është një moment i rëndësishëm në mbrojtjen e parimeve tona dhe të drejtës për të shprehur lirshëm bindjet tona.