Vetëm edhe 6 ditë kanë mbetur që Kuvendi i Kosovës të zgjedhë Presidentin e Republikës së Kosovës. Në të kundërtën, vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen në muajin prill.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që drejton Lëvizjen Vetëvendosje si forcën me më së shumti deputetë në Kuvendin e Kosovës, gjithsej 57, ka vendosur që pa zhurmë ta braktisë rinominimin e Vjosa Osmanit dhe të “dalë” me emrin e Glauk Konjufcës për postin e të parit të shtetit.
Demokracia.com ka mësuar nga burime të afërta me partinë në pushtet se kryeministri Kurti nuk është i gatshëm të mbështesë një figurë që në mandatin e dytë mund të shndërrohet në pol të pavarur fuqie, sidomos pas lojës ndërkombëtare të Osmanit në muajt e fundit, me të cilën e ka izoluar Kurtin.
“Presidentja Osmani nuk ka qenë korrekte në relacione me kryeministrin Kurti. Ka gënjyer vazhdimisht për të në tavolina me diplomatë. Adresë për ndërkombëtarët ishte bërë Osmani, e cila e ka luftuar fshehurazi e heshturazi ndërkombëtarisht kryeministrin rreth 4 vjet”, ka thënë ky burim, sipas të cilit, lojtari i madh, fituesi i madh është Kurti dhe jo Osmani, prandaj është e pakuptimtë që një lojtar i madh të luaj në “tavolina të vogla”, ndërsa një presidente me mandat të falur në “tavolina të mëdha”.
Daljet e saj të theksuara në Uashington dhe përfshirja në iniciativa ndërkombëtare e kanë rritur kapitalin e saj diplomatik, por njëkohësisht kanë shtuar dyshimet brenda partisë në pushtet për ambicie më të gjera politike.
Sipas këtyre burimeve, Kurti pritet që në prag të skadimit të afatit kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, ta “nxjerrë” zyrtarisht emrin e Konjufcës dhe kjo do të shënonte një kthesë të madhe politike, duke i dhënë goditje të madhe dhe përfundimtare Osmanit.
Këtë pritet ta bëjë duke u arsyetuar me votat e Konjufcës, si i dyti më i votuari në nivel vendi.
Konjufca, aktualisht një nga figurat më të besuara të Kurtit dhe bashkëpunëtor i hershëm në strukturat e Vetëvendosjes dhe do të shmangte krijimin e një qendre alternative ndikimi, siç mund të ndodhë me Osmanin.
Pa mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, posti i të parës së shtetit për Vjosa Osmanin, duket i pamundur.
Kandidimi i Konjufcës për President është një çështje që ka mbetur vetëm të bëhet publike, sidomos pas dështimit të Kurtit që në këtë garë politike me nuanca partiake të Lëvizjes Vetëvendosje, t’i përfshijë dy djemtë e familjes Jashari, Muratin, Bashkimin apo Bekim Jasharin.
Me Konjufcën kandidat për President, Kurti nuk pritet as të kërkojë mbështetjen e partive opozitare, duke e lënë atë si një kandidat “merreni ose lereni” nën presionin e kohës së shkurtër dhe afatit kushtetues, me shpresë që frikësohen disa deputetë nga shkuarja në zgjedhje dhe qëndrojnë në sallë për t’ia bërë kuorumin.
“Nëse nuk e votojnë Glaukun, shkojmë në zgjedhje të reja”, ka thënë burimi i Demokracia.com, sipas të cilit të dyja këto pozicione janë win-win.
Përveç që Konjufca nuk paraqet një figurë konsensuale politike, emri i tij në postin e të parit të shtetit do të shënonte zaptimin politik nga një parti politike të tri institucioneve kryesore shtetërore, Kuvend – Qeveri – Presidencë, nga të cilat varet edhe funksionimi i institucioneve tjera të pavarura kushtetuese.
Në rrethana të tilla, me kandidimin e Konjufcës, i cili në nëntor të vitit të kaluar kishte dështuar të merrte 61 vota për kryeministër, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në mes të prillit të këtij viti, si një planifikim i hershëm i Kurtit dhe Vetëvendosjes për të paralizuar të gjitha segmentet e jetës institucionale në vend.
