Raundi i dytë i bisedimeve për gjetjen e një kandidati konsensual për president të Kosovës do të vazhdojnë sot. Gazeta ka mësuar se takimi i dytë i kryetarit të VV-së, Albin Kurti, me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza do të ndodhë sot.
Ende nuk duhet vendi se ku do të mbahet takimi, por ai do të zhvillohet në orët e pasdites. Gjithashtu, gazeta ka mësuar se Albin Kurti i ka dërguar ftesë për takim edhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Për të diskutuar rreth kësaj çështje, PDK-ja sot do ta mbledh edhe Kryesinë.
Mbledhje e Kryesisë ku do të bisedohet çështja e presidentit do të filloj në ora 13:00.
Në fund të javës se kaluar dhe në fillim të kësaj jave, kryetari i VV-së Albin Kurti ka filluar diskutimet me PDK-në dhe LDK-në rreth zgjedhjes së presidentit.
Raundi i parë i takimeve nuk ka sjell ndonjë rezultat.
Të dielën e kaluar është mbajtur takimi i parë i Albin Kurtit dhe Bedri Hamzës.
Ky i fundit ka treguar parimet e PDK-së për këtë çështje.
“Zgjedhja e Presidentit nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithë neve si përfaqësues të zgjedhur të popullit. Për këtë arsye, sot iu përgjigja pozitivisht ftesës së z. Kurti për të diskutuar për zhvillimet politike dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit. Si subjekt politik opozitar, nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese”, kishte vlerësuar Hamza, duke dhënë detaje tjera nga takimi.
“Uroj që të ketë reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë. Për ne, interesi shtetëror është mbi çdo kalkulim politik dhe këtë standard e mbrojmë me vendosmëri”, ka vlerësuar ai.
Rreth këtij takimi ishte deklaratat edhe Zyra e Kryeministrit.
“Kryeministri Kurti falënderoi Kryetarin Hamza për bashkëpunimin në Kuvend me rastin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Kryetari Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror e kombëtar. U diskutua për zhvillimet politike në vend e më gjerë dhe nevojën për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirë të Republikës sonë dhe pluralizmit partiak e demokratik. Natyrisht, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, ishte thënë në komunikatën e Qeverisë.
Një ditë më pas, Kurti e kishte takuar edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
Pas takimit, i pari i LDK-së kishte vlerësuar se zgjedhja e presidentit të ri kërkon përgjegjësi.
“Procesi i zgjedhjes së Presidentit po zhvillohet brenda një afati të kufizuar kohor. Na kanë mbetur më pak se 9 ditë për të arritur një zgjidhje. Prandaj, në këtë kohë të shkurtër kërkohet përgjegjësi e lartë politike, e cila nënkupton qartësi, maturi dhe vullnet për kompromis, në mënyrë që të shmanget çdo rrezik për paqëndrueshmëri institucionale. Është thelbësore të kuptohet se Presidenca duhet të mbetet institucion që garanton ndarjen e pushteteve dhe shërben si faktor uniteti për vendin, e jo si vazhdim i shumicës qeverisëse”, kishte shkruar ai, duke kërkuar konsensus të gjer për këtë çështje.
“Në këtë frymë, dhe në përputhje me deklaratën politike të miratuar në Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK vlerëson se ekzistojnë dy rrugë të qëndrueshme përpara: ose një konsensus i gjerë parlamentar rreth një emri të përbashkët për President, ose një marrëveshje politike ndërmjet partive parlamentare”, ka shkruar ai.
