Ndonëse Komuna e Mitrovicës së Jugut udhëhiqet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në krye të një ndërmarrjeje do të jetë një emër i PDK’së. Vesa Broja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Mitrovicë është emëruar kryeshefe e ndërmarrjes publike për menaxhimin e mbeturinave KRM “Uniteti”.
Siç raportojnë mediat lokale në Mitrovicë, Broja ishte në mesin e kandidatëve që kandiduan për këtë pozitë, duke dalë më e poentuara. Vlerësimi është bërë nga anëtarët e bordit të drejtorëve të ‘KRM Uniteti’, shkruan Insajderi.
Meqë kompania është regjionale, anëtarë të bordit janë edhe nga Komuna e Vushtrrisë dhe e Skenderajt, dy komuna këto të udhëhequra nga radhët e PDK’së. Aksionarë të KRM Uniteti janë Komuna e Mitrovicës me 62%, Komuna e Vushtrrisë me 22% dhe Komuna e Skenderajt me 10%.
E për këtë çështje Faton Peci ishte zotuar që s’do ta lejojë komunën që udhëhiqet nga Sami Lushtaku ta përcaktojë kryeshefin e KRM “Uniteti”.
“Nuk lejojmë që Komuna e Skenderajt, me vetëm 10% të aksioneve në ndërmarrjen rajonale të pastrimit KRM “Uniteti” të na zgjedhë se kush do të jetë Kryeshefi Ekzekutiv që do të përkujdeset për Mitrovicën”, kishte deklaruar Peci para një muaji.
Madje kishte thënë se vendime s’do ta lejojë të marrë as Komunën e Vushtrrisë, e cila është aksionare po ashtu në këtë ndërmarrje publike.
“Nuk mundet dhe është e turpshme përpjekja e Komunës së Vushtrrisë, e cila ka hequr dorë nga kjo ndërmarrje dhe ka krijuar kompaninë e re të saj komunale, të vendosë se kush do të jetë Kryeshefi Ekzekutiv në ndërmarrjen komunale të Mitrovicës. Nuk i kanë besuar shërbimin, por dëshirojnë të na zgjedhin Kryeshefin”.
Peci ishte zotuar se do të ndërmarrë veprime ligjore për këtë çështje, ndonëse deri më tani s’ka reaguar fare për këtë çështje.
Kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar në Komunë të Mitrovicës nëpër fushata elektorale janë dëgjuar duke u zotuar se do ta shuajnë ndikimin e Sami Lushtakut në këtë komunë.
