Ngjitjen politike e kishin falë saj.
Emrin e partisë së saj e bartin ende, emrin e saj e braktisën.
Partia “Guxo” e formuar nga Vjosa Osmani, heshti deri në fund për ish-themeltaren e tyre.
Vetëvendosja e Albin Kurtit, pasi pranoi tri favore të mëdha parazgjedhore nga Osmani, pas zgjedhjeve e hoqi nga konsiderata.
Faton Peci dhe Donika Gërvalla dy kryetarët e Guxo-s i kishin fjalët e mëdha në mbështetje të Osmanit deri në atë kohë.
“Zot runa”, thoshte Faton Peci në një intervistë në ATV pasi Vetëvendosja fitoi 51.1%, “nëse na bllokojnë në zgjedhjen e presidentes”.
Njëjtë edhe Donika Gërvalla, kërcënonte opozitën se çfarë do të pasonte për ta, nëse nuk e votojnë Vjosa Osmanin për mandat tjetër.
Që të dy fjalët për Osmanin i kishin në superlativ, dhe kandidatura e saj, sipas tyre, ishte gjë që s’kishte nevojë as të thuhej.
Por, rrugës ndërroi gjithçka.
Partia “Guxo” u rreshtua me Albin Kurtin kur Osmani njoftoi synimin e saj për një mandat të dytë.
Në “Debat Plus” Sekretaresha e partisë “Guxo” pati thënë se si parti do të dalin me qëndrim të unifikuar të partisë, dhe s’dolën asnjëherë.
Madje ajo në insistimin e moderatorit Ermal Panduri, pyetur se a janë pro, tek e fundit, në mbështetje të Osmanit, pati thënë se “sigurisht që po.”
Por, ajo del t’i kishte tejklauar autorizimet e saj: dhe çortimet ndaj saj, siç pati mësuar Nacionale, ishin serioze nga Donika Gërvalla.
Ajo vetë ishte shndërruar një linjë të hekurt të refuzimit ndaj Osmanit.
I kishte shtrënguar deputetët nën patronazhin e vet të ishin kundër Osmanit në mbledhjet e GUXO-s.
Faton Peci s’u bë asnjëherë i gjallë në mbështetetje të Vjosa Osmanit.
Mbyllja e telefonit “në sekond.”
Dy deputetë të Guxo refuzuan të përgjigjen për presidenten aktuale, Vjosa Osmani.
Moderatori Ermal Panduri i telefonoi deputetët Fatos Geci dhe Aferdita Hajrizi gjatë transmetimit.
Pasi kuptoi arsyen e telefonatës, deputeti Geci e mbylli menjëherë telefonin.
E njëjta situatë ndodhi edhe me deputeten Aferdita Hajrizi.
“Përshëndetje, urdhëroni,” tha fillimisht Hajrizi, përpara se ta ndërpriste telefonatën pa e dëgjuar plotësisht pyetjen.
Edhe deputeti Nezr Kraki shmangu gazetarët para mbledhjes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.
I pyetur për zgjedhjen e presidentit, ai dha vetëm një përgjigje të shkurtër.
“Nëse vjen puna, votoj për,” deklaroi Kraki.
Gazeta Nacionale raportoi se Donika Gërvalla është kundërshtarja kryesore e rizgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente.
E kontaktuar nga gazetarët, Gërvalla refuzonte të jepte qëndrim publik.
“Jo faleminderit shumë. Jam duke shkuar në zyre. Ditën e mirë,” tha ajo.
Sipas burimeve të gazetës, Gërvalla ka kërkuar nga deputetët e partisë të mos bëjnë deklarata për Osmanin.
Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ndante të njëjtin qëndrim.
Megjithatë, deputeti Haxhi Avdyli është shprehur hapur në favor të mandatit të dytë të presidentes.
“Vjosa Osmani në pesëvjeçarin e kaluar ka treguar një performancë dhe paraqitje brilante në përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit,” deklaronte Avdyli.
