Ish-ministri i jashtëm, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas deklaratës së Nenad Rashiq, i cili tha publikisht se kryeministri ia ka transferuar tokën Manastirit të Deçanit për hatër të tij.
Në një status në Facebook, Hoxhaj tha se një deklaratë e tillë tregon logjikën me të cilën po merren vendime për territorin e shtetit.
“Nenad Rashiq tha publikisht se Albin Kurti, për hatër të tij, ia ka transferuar tokën Manastirit të Deçanit. Një deklaratë e tillë tregon thelbin e një politike me logjikë feudale, ku territori i shtetit trajtohet si pronë për t’u dhënë ‘për hatër’”, shkroi Hoxhaj.
Ai ngriti pyetje edhe për vendime të tjera që, sipas tij, janë marrë në dëm të Kosovës.
“Pyetja që shtrohet është e thjeshtë, për hatër të kujt janë marrë edhe vendime të tjera të rënda për Kosovën?”, theksoi ai.
Sipas Hoxhajt, dilema të tilla lidhen edhe me marrëveshjet e arritura në dialog me Serbinë gjatë vitit 2023.
“Për hatër të kujt u pranua vetëmenaxhimi në marrëveshjet e Ohrit dhe Brukselit më 2023? Për hatër të kujt u rikthye në qendër Rezoluta 1244 dhe mekanizma arbitrazhi që hapin rrugë për ekstraterritorialitet? Dhe për hatër të kujt u pranua që pasaportat e Serbisë për qytetarët e Kosovës të mund të përdoren për lëvizje pa viza në BE?”, shkroi ai.
Në fund, Hoxhaj theksoi se territori i Kosovës nuk mund të trajtohet si pronë personale nga askush.
“Kosova nuk është pronë e askujt për t’u falur sipas hatrit. Është shtet dhe duhet të trajtohet si e tillë”, përfundoi ai.
