“Universiteti në rrezik”, “Favorizimi i hapur i kolegjeve private” “Këshilli Shtetëror i Pasurisë”, janë disa nga pankartat që studentët e stomatologjisë nga Lëvizja studentore për barazi “Studim-krikë-veprim” i mbajtën në duar teksa shprehen shqetësimin rreth numrit të madh të stomatologëve.
Sejdi Karaçi, student i stomatologjisë në Universitetin e Prishtinës, gjatë aksionit para Agjencisë së Kosovës për Akreditim, tha se për shkak të kompleksitetit të drejtimit të stomatologjisë, standardet e edukimit duhet të jenë të larta dhe pakompromis.
“Në emër të të gjithë kolegëve studentë të stomatologjisë, ky reagim vjen si pasojë e një dukurie shqetësuese dhe gjithnjë e më të përhapur në disa kolegje private në vend, e cila lidhet drejtpërdrejt me mënyrën e organizimit dhe funksionimit të studimeve në stomatologji. Stomatologjia, si një profesion i rëndësishëm shëndetësor, kërkon përgatitje të gjatë akademike, përgjegjësi të lartë profesionale dhe standarde të larta në edukim. Studentët e këtij drejtimi përfundojnë gjashtë vite studime universitare dhe në fund fitojnë titullin Doktor i Stomatologjisë. Më pas kalojnë nëpër procesin e stazhit profesional dhe kanë mundësi të vazhdojnë specializimet në fusha të ndryshme të stomatologjisë. Për shkak të kompleksitetit dhe përgjegjësisë që bart ky profesion, standardet e edukimit duhet të jenë të larta dhe pa kompromis. Në Universitetin e Prishtinës, drejtimi i stomatologjisë është një nga drejtimet më sfiduese dhe më konkurruese. Procesi i pranimit është selektiv dhe bazohet në kritere të qarta standardizuese dhe akademike”, tha ai.
Karaçi tha edhe se në kolegjet private, për drejtimin e stomatologjisë nuk përmbushen standardet minimale akademike dhe profesionale.
“Megjithatë, jemi dëshmitarë të një realiteti krejtësisht tjetër në disa kolegje private. Drejtimi i stomatologjisë ofrohet në kushte që, sipas dëshmive dhe përvojave të studentëve, nuk përmbushin standardet minimale akademike dhe profesionale. Në këto institucione shpesh mungojnë kriteret e qarta për pranimin e studentëve, ndërsa procesi i vlerësimit akademik nuk është gjithmonë i bazuar në standarde transparente. Një nga problemet më shqetësuese lidhet me punën praktike klinike, e cila është thelbësore për formimin e një stomatologu kompetent. Ka raste kur studentët në këto institucione janë të detyruar të sigurojnë vetë pacientët për të realizuar praktikën, ndërsa në disa raste raportohet se studentët nuk arrijnë të përfundojnë praktikën e nevojshme për shkak të mungesës së klinikave të mjaftueshme gjatë studimeve të tyre. Kjo paraqet një problem serioz për cilësinë e formimit profesional”, theksoi ai.
Ai është referuar edhe të dhënave të ASK-së, që sipas të cilës rezulton që Kosova ka rreth 2 mijë e 400 stomatologë.
“Sipas të dhënave të ASK-së, në vendin tonë janë të regjistruar rreth 2400 stomatologë, çka për një popullsi prej rreth 1.8 milionë banorësh nënkupton një raport afërsisht një stomatolog për çdo 700–750 banorë. Kjo rritje e pakontrolluar e të diplomuarve në këtë fushë nuk është në përputhje me nevojat reale të popullsisë dhe as me kapacitetet e sistemit shëndetësor. Kjo përbën një problem të qartë në këtë fushë dhe pa dyshim është shqetësuese”, tha ai.
