Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj Jetmir Jusufit, i cili dyshohet se ka vrarë vëllanë e tij, Faruk Jusufin, të shtunën më 21 mars në Bokshiq të Klinës.
Ai dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në kontroll, pronësi ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, thuhet se i pandehuri Jetmir dhe viktima tashmë e ndjerë, Faruk, janë vëllezër. Janë rrethana të veçanta që tregojnë rrezikun e madh që me lirimin e të njëjtit apo nën masa të tjera më të buta, mund të ndikohen personat e tjerë familjarë që ishin prezent në momentin e ngjarjes, si prindi i tij Jusuf Jusufi dhe vëllai tjetër Qlirim Jusufi, si dhe persona të tjerë që do të identifikohen nga prokuroria si dëshmitarë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Prokuroria kërkoi nga Gjykata që i njëjti të qëndrojë në paraburgim për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.
