Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka theksuar se konflikti me Iranin duhet të zgjidhet përmes dialogut dhe negociatave serioze, duke paralajmëruar se qëndrimi i Izraelit po pengon përpjekjet diplomatike.
“Qëndrimi i pakompromis, maksimalist dhe radikal i Izraelit nuk duhet të lejohet të sabotojë zgjidhjet diplomatike”, ka deklaruar Erdogan gjatë një fjalimi televiziv. Ai njihet si kritik i vazhdueshëm dhe i hapur i Izraelit.
Presidenti turk shtoi se askush që vlerëson paqen dhe stabilitetin botëror nuk duhet të shtojë “benzinë në zjarrin” që, sipas tij, Izraeli ka ndezur padrejtësisht në rajon. “Asnjë vend që vlerëson paqen dhe stabilitetin botëror nuk duhet të vazhdojë t’i shtojë benzinë zjarrit që Izraeli ka ndezur padrejtësisht në rajonin tonë”, tha Erdogan.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur presidenti amerikan po thekson se SHBA-ja është duke zhvilluar negociata për përfundimin e armiqësive me Iranin, megjithëse Teherani zyrtar ende nuk ka pranuar publikisht se janë duke u zhvilluar bisedime.
