Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij Liridona Ademaj, ka thënë se armën me të cilën Prokuroria thotë se është kryer vrasja e kanë blerë bashkë me të akuzuarin tjetër Granit Plava, me qëllim që të fitojnë nga rishitja e saj.
“Në mbrojtjen e juaj në këtë gjykatë keni deklaruar se ju me të akuzuarin Granit Plava, spontanisht e keni blerë armën dhe çmimin e keni paguar ju. A është e vërtetë”, e ka pyetur Murselin kryetarja e Trupit Gjykes Fatime Dermaku.
“Po. Sepse ai tha që e shet dyfish të nesërmën, kjo ishte arsyeja. Me atë qellim e kam blerë”, është përgjigjur Murseli.
Gjyqtarja e ka pyetur se cili ka qenë përfitimi i tij nëse Plava do ta shiste revolen.
Murseli ka thënë se nuk do të kishte asnjë përfitim, vetëm se do t’i ndihmonte Plavës pasi e kishte bashkëfshatar dhe ishte shok i të akuzuarit tjetër, Kushtrim Kokallam të cilin Murseli e ka djalë të hallës dhe të dajës.
Ai ka thënë se më vonë e ka kuptuar që me atë revole ishte vrarë bashkëshortja e tij.
Gjyqtarja e ka ballafaquar Murselin edhe me disa fotografi ku shihet Ademaj e vrarë.
Ai ka thënë se nuk mund t’i shohë ato fotografi.
Dermaku e ka pyetur Murselin edhe për deklaratën e tij se natën kritike kanë qenë pre e grabitjes.
Ai ka thënë se po kanë qenë pre e një grabitje të armatosur.
Dermaku e ka pyetur Murselin edhe pse ai ka qëndruar në Prishtinë natën që ka ndodhur vrasja dhe fëmijët i ka lënë larg.
“Kur dolëm nga stacioni i policisë, mua më tha policia me qëndru në Prishtinë. E fëmijët i ka marrë familja e Liridonës”, ka deklaruara Murseli duke shtuar se fëmijët ishin dakord që të shkonin.
Murseli ka deklaruar se nuk e ka parë Liridonën të vrarë në veturë dhe se e ka parë të nesërmen në morg.
