Cikloni i fuqishëm i cili tashmë po shkakton stuhi bore e shiu që nga Sllovenia deri në Mal të Zi, gjatë orëve të vonshme do të përfshijë edhe Malin e Zi dhe Shqipërinë dhe pastaj edhe Kosovën dhe Maqedoninë Veriore.
Gjatë natës në Kosovë përpos shiut parashihen edhe reshje të përziera me shqote e borë edhe në disa ultësira të Rrafshit të Kosovës sepse temperaturat polare do të miksohen së bashku me frontin e fuqishëm të ftohtë ajror, megjithatë reshjet e borës nuk parashihet të zgjasin shumë në zonat e ulëta të Rrafshit të Kosovës për dallim nga viset malore ku priten reshje më të shpeshta bore, shkruan Meteo Ballkan.
Në tërë Kosovën do të fillojnë reshje shiu të cilat në disa momente mund të jenë të dendura dhe pastaj në zona të caktuara përpos viseve kodrinore-malore do të përzihen me shqote dhe borë.
Reshje të dendura priten edhe Shqipëri, Mal të Zi dhe në fund edhe në Maqedoninë Veriore. Temperaturat do të shënojnë ulje në nivel rajoni. Vende-vende priten stuhi me vetëtima e bubullimë.
Stuhi dimërore priten sonte në shumë pjesë të Ballkanit she ato kanë filluar në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë. Në viset kodrinore-malore priten reshje të dendura bore, madje edhe në disa ultësira të Bosnjës dhe Kroacisë do të ketë shtresa bore.
