Një rast i rëndë është shënuar në Prizren, ku një burrë është gjetur pa shenja jete në rrugën “Edit Durham”.
Bëhet fjalë për Qamil Hoxha, rreth 71-vjeçar, i cili fillimisht ishte gjetur nga qytetarët pa dokumente identifikuese, çka e kishte vështirësuar identifikimin e tij.
Pas marrjes së informatës, hetuesit rajonalë kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme, duke punuar në terren për identifikimin e viktimës dhe gjetjen e familjarëve të tij.
Nëpërmjet informatave të mbledhura, Policia ka arritur të identifikojë vendbanimin e viktimës dhe të kontaktojë familjen, e cila ka konfirmuar identitetin e tij.
Sipas familjarëve, viktima ishte në kërkim që nga mëngjesi i së njëjtës ditë, rreth orës 10:00, ndërsa bëhet e ditur se ai vuante nga disa sëmundje kronike.
Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa autoritetet po vazhdojnë veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave.
