Ish-ministri i Transportit, Hysen Durmishi, ka dal me reagim lidhur me ekspozitën në shesh të Prishtinës, për Masakrat në Kosovë, ku mes tjerash thuhet se në masakrën e Dubravës janë vrarë 48 shqiptarë të armatosur.
Hysen Durmishi tha se për shkak të kësaj narrative të Shkëlzen Gashit, në vitin 2005 e kishte përzënë nga zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje.
Hyseni shkruan se tendenca e Gashit për të deformuar historinë tonë dhe luftën e drejtë të UÇK-së ka rezultuar me përjashtimin e tij nga Lëvizja.
“Për shkak të kësaj narrative të Shkëlzen Gashit, në vitin 2005, pas një përplasjeje të ashpër, personalisht e kam përzënë nga zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Tendenca e tij për të deformuar historinë tonë dhe luftën e drejtë të UÇK-së ka rezultuar me përjashtimin e tij nga Lëvizja. Është e papranueshme që ekspozita dhe vepra të tilla të marrin leje dhe të financohen nga institucionet tona Deformime të tilla nuk janë thjesht të pavërteta, ato janë fyerje e rëndë për sakrificën tonë dhe vrasje e dytë për të gjithë ata që dhanë jetën për liri dhe çlirim”, shkruan Hyseni.
Në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë është vendosur e ashtuquajtura ekspozita “masakrat në Kosovë 1998-1999”. Ekspozita bazohet në librin e Shkëlzen Gashit “Masakrat në Kosovë 1998-1999”.
Ekspozita në fjalë ka ngjallë reagime e kritika, për shkak se aty ndër tjerash, thuhet se në Masakrën e Dubravës, janë vrarë 48 shqiptarë të armatosur e 58 civilë të paarmatosur.
Shkëlzen Gashi, ish-këshilltar i Kurtit, në reagim tha se për përpilimin e listës së të vrarëve, janë mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr nga Natasha Kandiqit.
