Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se për çështjen e zgjedhjes së presidentit nuk do t’i nënshtrohen vullnetit të kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurti.
Ai ka theksuar se përderisa Kurti nuk tregon vullnet për bashkëpunim situata e krijuar mund të vazhdojë deri në pafundësi.
Hoxhaj ka thënë se Kurti nuk i beson dialogut dhe marrëveshjet.
“Kur ne kemi një parti politike dhe një njëri i cili fiton zgjedhjet si zotëri Kurti, i cili nuk i beson dialogut, s’do dialog të mirëfilltë me partitë politike, nuk i beson marrëveshjes, nuk arrin marrëveshje, LDK-ja ishte e gatshme që të ketë edhe marrëveshje klasike me të, nuk bën kompromis dhe PDK-ja është e gatshme që ta mbrojë mbi të gjitha karakterin e këtij vendi, që janë institucionet demokratike. Dhe nuk e kemi ndërmend që t’i nënshtrohemi vullnetit të askujt dhe kjo fazë mund të vazhdojë në pafundësi nëse zotëri Kurti nuk tregon vullnet për bashkëpunim”, ka shtuar Hoxhaj.
