Më 4 prill, saktësisht këtë të shtunë presidentes Vjosa Osmani i përfundon edhe zyrtarisht mandati i saj.
Kësisoj nga e shtuna e tutje, Vjosa Osmani nuk është më presidente shteti.
Për një periudhë kohore, në krye të kësaj pozite pritet të jetë Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Vjosa Osmani në këtë pozitë s’pritet të jetë më pasi e njëjta nuk është propozuar as si kandidate për një mandat të dytë, siç kishte planifikuar dhe siç priste të ndodhë.
Vetëvendosje vendosi të mos nxjerrë Vjosa Osmanin si kandidate, por të propozojë dy emra të tjerë: Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçakun. Pasi që çështja e presidentit nuk u arrit të zgjidhej, Vjosa Osmani vendosi që të nesërmen ta shkarkojë Kuvendin e Kosovës.
Më 25 mars, Gjykata Kushtetuese vendosi gjithashtu që dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka efekt juridik dhe konsiderohet i pavlefshëm. Me këtë vendim, deputetëve u është dhënë një afat prej 34 ditësh për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës. Në rast të moszgjedhjes brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh, duke vendosur një presion të lartë mbi të gjitha partitë politike dhe institucionet shtetërore. Ky vendim shfuqizoi gjithashtu masën e përkohshme të vendosur më 9 mars, duke hapur një fazë të re politike dhe duke rikthyer fokusin tek zgjedhja e presidentit.
E përgjatë kësaj kohe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po vazhdon të mbajë pezull vendimin për emërimin e anëtarit të dhjetë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke lënë LVV-në dhe PDK-në në pritje dhe duke thelluar pasigurinë politike në vend. Çështja ka rikthyer vëmendjen tek procedurat për zgjedhjen e presidentit dhe sfidat për funksionimin e institucioneve në afatin kushtetues.
Derisa lidhur me këtë situatë Gjykata Kushtetuese ka vendosur dy ditë më parë se kërkesa e presidentes lidhur me emërimin e anëtarëve të KQZ-së është e papranueshme dhe ka refuzuar gjithashtu kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme. Sipas njoftimit të gjykatës, kërkesa synonte të vlerësonte një konflikt të supozuar midis kompetencave të presidentes dhe grupeve parlamentare, por gjykata konstatoi se rasti nuk mund të shqyrtohet për momentin dhe se procedura ligjore për emërimin e anëtarëve të KQZ-së nuk preket.
Njëherësh ky vendim rikthen praktikën e vitit 2021, kur Presidentja Osmani kishte ndarë dy mandate për LVV dhe dy për PDK, sipas nenit 139 të Kushtetutës dhe Ligjit për zgjedhjet. Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka deklaruar se partia pret që sa më shpejt të emërohet përfaqësuesi i dytë i saj në KQZ, Rashit Qalaj, duke theksuar se mandati i takon PDK-së dhe nuk ndahen vetëm sipas numrit të deputetëve në Kuvend. Sipas tij, çdo vonesë rrit tensionin politik dhe rrezikon funksionimin normal të këtij institucioni të rëndësishëm zgjedhor.
“Kërkesa e presidentes Osmani ka qenë e panevojshme, në vitin 2021 për njëjtën çështje i është drejtuar gjykatës dhe ka pasur përgjigje si dhe ka qenë e panevojshme edhe për shkak të konfigurimit të kuvendit i cili përafërsisht ngjashëm si 2021 VV kishte 58 sot 57 PDK kishte 19 sot ka 22 edhe Osmani në atë kohë na kishte dhënë dy mandate neve dy VV-së ashtu siç e thotë edhe kushtetuta”, ka thënë Gjoshi.
Çështja e KQZ-së u riaktualizua pas rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, kur LVV i kishte dërguar Presidencës tre emra për emërim, duke pretenduar tre ulëse, ndërsa PDK pret që një prej vendeve të mbetura t’i takojë sipas praktikës dhe vendimeve të mëparshme. Kjo ka nxitur debat mbi interpretimin e nenit 139 të Kushtetutës, i cili përcakton përbërjen e KQZ-së, ku gjashtë vende i takojnë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare dhe katër vende komuniteteve.
E mbi këtë çështje, dy ditë më parë Kryeministri Albin Kurti, pak ditë më parë paralajmëroi se do të ftojë liderët e partive opozitare për konsultime dhe takime të mëtejshme, me qëllim të arritjes së kuorumit të nevojshëm për zgjedhjen e presidentit. Ai ka theksuar se për një proces të suksesshëm duhet të jenë të pranishëm rreth 85 deputetë, duke ritheksuar se vetëm 80 apo 81 nuk janë të mjaftueshëm. Kurti ka bërë të ditur se këto takime do të shërbejnë për të diskutuar ofertat dhe kërkesat e ndryshme politike dhe për të siguruar numrin e nevojshëm të deputetëve për zgjedhje të ligjshme dhe të sigurt të presidentit.
“Padyshim që do të bëj ftesa për takime me kryetarët e partive opozitare, në mënyrë që të shohim rrugët për të arritur numrin prej së paku 80 deputetëve. E po e ritheksoj, unë nuk besoj që është mirë të jemi veçse 80 apo 81; duhet të jemi rreth 85, pra 85 deri në 86, që të jemi të sigurt në mënyrë që ta zgjedhim presidentin aty. Dhe për këtë do të bëj edhe ftesa dhe do të zhvillojmë edhe takime, por çfarë ofertash e kërkesash do të ketë në ato takime, duhet të presim që të ndodhin ato takime”, ka deklaruar Kurti në një konferencë.
Situata aktuale në vend ka pasojë direkte për stabilitetin institucional dhe mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme. Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin brenda afatit 34-ditor, shpërndarja e tij dhe mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme brenda 45 ditëve do të jenë të pashmangshme, duke hapur një fazë të re politike dhe duke vendosur sfida të mëdha për qeverisjen dhe institucionet.
Ndërkohë, Presidentja Osmani mbetet e paqartë për vendimin e saj për emërimin e anëtarit të dhjetë të KQZ-së, duke bërë që LVV dhe PDK të presin zyrtarisht dekretin. Situata politike vazhdon të jetë e ndërlikuar, dhe çdo vendim që do të merret nga presidentja ose partitë politike do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e institucioneve dhe në stabilitetin e vendit.
Në këtë kontekst, kombinimi i çështjes së mandateve në KQZ dhe afatit për zgjedhjen e presidentit vendos një moment kritik për Kosovën, duke bërë që të gjitha partitë të jenë nën presion të lartë për të koordinuar veprimet e tyre dhe për të respektuar Kushtetutën dhe ligjin, në mënyrë që të shmanget kriza institucionale dhe politike.
