Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë për papërgjegjësinë dhe mungesën e seriozitetit të Qeverisë së Kosovës përballë krizës ekonomike që po prek çdo familje në vend.
Në një komunikatë zyrtare, PDK thekson se gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për rritjen e çmimit të naftës, shërbimeve, tatimeve dhe inflacionit, kryeministri, ministrat dhe deputetët e shumicës parlamentare kanë bojkotuar pjesën më të madhe të seancës.
Sipas PDK-së, ky veprim përbën “shpërfillje të hapur ndaj qytetarëve që çdo ditë përballen me rritje të kostos së jetesës dhe varfërim në rritje”.
Sipas njoftimit, çmimi i naftës në Kosovë ka arritur 2 euro e 3 cent, duke ndikuar direkt në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve bazë. Partia kritikon gjithashtu qeverinë për kohën e shfrytëzuar nga kryeministri në lojëra fjalësh dhe interesa partiake, në vend që të ofronte “zgjidhje konkrete për lehtësimin e barrës së qytetarëve”.
PDK vlerëson se kjo qasje është jo vetëm “e papranueshme, por edhe e dëmshme për stabilitetin ekonomik dhe social të vendit” dhe i bën thirrje qeverisë të hartojë urgjentisht një pako emergjente ekonomike.
Sipas partisë, kjo duhet të përfshijë masa konkrete për uljen e barrës financiare ndaj qytetarëve dhe mbështetje për familjet dhe bizneset.
“Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për veprime të menjëhershme”, përfundon njoftimi i PDK-së.
