Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi në Londër se vendi ka ruajtur stabilitet ekonomik pavarësisht krizave globale, duke theksuar “rritjen mesatare ekonomike 6%.”
Duke folur në një panel në ODI Global, Kurti tha se qeveria e tij ka arritur “rritje ekonomike mesatare prej 6% për pesë vite”.
Ai shtoi se kjo rritje “asnjëherë nuk ka rënë nën 4%, përveç vitit të fundit, dhe sivjet sërish rreth 4%”.
Sipas tij, performanca ekonomike është arritur në kushte të vështira, përfshirë pandeminë, luftën në Ukrainë dhe krizën energjetike.
“Me kabinetin tim të mirëarsimuar e të klasës së mesme… ne ia dolëm ta kthejmë antikorrupsionin në rritje ekonomike, lirinë në zhvillim, dhe virtytin në besim”, deklaroi Kurti.
Në të njëjtën kohë, ai foli për presion të inflacionit, duke i qëndruar asaj që e jep si zgjidhje përmes vendosjes së çmimeve tavan me ligjin që pritet ta miratojë në Kuvend,..
“Në njërën anë kemi çmimet tavan për produkte bazë… dhe në anën tjetër duhet të kufizojmë fitimin”, tha ai.
Kurti tha se kjo qasje synon ruajtjen e “kohezionit social” dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Megjithatë, të dhënat zyrtare tregojnë realitet ditë e më të ashpër për qytetarët.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni vjetor arriti në 6.7% në mars 2026.
Kjo normë shënon rritje të vazhdueshme krahasuar me 5.8% në janar dhe 6.0% në shkurt.
Rritja mujore nga shkurti në mars ishte 1.5%, duke treguar presion të vazhdueshëm mbi çmimet.
Shtrenjtimet kanë prekur sidomos shërbimet bazë dhe ushqimet.
Energjia elektrike është rritur për 17.4%, ndërsa furnizimi me ujë dhe shërbimet e banimit për 31.9%.
Lëndët djegëse si drutë dhe peleti janë shtrenjtuar për 15.6%.
Në shportën ushqimore, pemët janë rritur për 13.1%, ndërsa mishi për 12.4%.
Kafeja, çaji dhe kakao kanë shënuar rritje prej 7.8%.
Transporti ka pësuar goditje të forta, me biletat e fluturimeve që janë rritur për 38.4%.
Shërbimet për pajisjet personale të transportit janë rritur deri në 42.5%.
