Përfaqësuesi i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Ali Sefaj, në një deklaratë për DTV Media ka vlerësuar se Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja, duke theksuar se duhet t’i shkurtohet mandati qeverisë aktuale dhe vendi të rikthehet te vullneti i qytetarëve.
Sipas tij, nëse nga zgjedhjet del i njëjti rezultat, atëherë partitë politike duhet të shqyrtojnë alternativa të tjera për formimin e Kuvendit dhe më pas të qeverisë.
Sefaj u shpreh gjithashtu kritik ndaj opozitës, duke theksuar se nuk e kupton hezitimin dhe frikën e saj për të shkuar në zgjedhje. Ai tha se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dalë e dëmtuar nga procesi i fundit zgjedhor dhe për këtë arsye po tregohet e rezervuar.
Megjithatë, sipas Sefajt, partitë opozitare do të mund të arrinin rezultat më të mirë nëse do të përballeshin sërish me elektoratin. Ai shtoi se opozita duhet të mbajë një qëndrim më të prerë politik, duke mos qëndruar në sallë dhe duke mos votuar presidentin, si formë presioni për të çuar vendin në zgjedhje të reja.
