Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për rikthim të takimeve ndërmjet taborrit qeverisës dhe opozitës, duke u shprehur kundër shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.
Haxhiu u shpreh se në përpjekje për të shmangur zgjedhjet dhe për të arritur një marrëveshje, është ofruar madje edhe pozita që ajo mban aktualisht.
“Prandaj duke pasur parasysh që i kemi edhe disa ditë para vete, përkatësisht 5-6 ditë para vete, mendoj që është shumë e rëndësishme që të rikthehen takimet, që të shtohet vullneti, të dëshmohet po ashtu vullneti, sepse nuk mund të ketë marrëveshje pa takime, dhe nuk mund të ketë marrëveshje nëse mungon vullneti nga palët. Ne kemi bërë aq sa kemi mundur, aq sa kemi pasur si me thënë në dorë prej nesh. Ju e dini që ne kemi ofruar edhe pozitën e Kryetarit të Kuvendit, sepse çka na duhet pozita e Kryetarit të Kuvendit nëse dikush e kërkon këtë dhe nëse kjo e parandalon zgjedhjet e jashtëzakonshme?“, tha ajo.
Sipas Haxhiut, refuzimi i propozimeve të Kryeministrit Kurti nga ana e PDK-së dhe LDK-së nuk i ndihmon vendit.
Ajo u shpreh se kundërshtimi i zgjedhjeve nuk vjen nga frika, por nga interesi i qytetarëve.
“…refuzimi i të gjitha propozimeve, ofertave që Kryeministri Kurti i ka bërë në drejtim të partive opozitare, PDK dhe LDK, mendoj që nuk i ndihmon vendit. Ne nuk i frikësohemi zgjedhjeve, por mendoj që nuk ka të bëjë kjo me kush është më trim e kush është më i guximshëm, por a janë zgjedhjet në interes të qytetarëve. Ne mendojmë, unë personalisht mendoj që nuk janë në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.
Haxhiu bëri thirrje që dallimet programore dhe politike të lihen anash deri në përfundimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes së vendit.
“Mendoj që vendi është seanca e Kuvendit. Aty duhet të vazhdojmë përpjekjen për ta zgjedhur Presidentin. Është më e pakta që mund të bëjmë para qytetarëve”, u shpreh ajo.
