Ish-deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Adem Salihaj, ka folur për mundësinë e rikthimit të Vjosa Osmani në LDK dhe ndikimin që kjo do të kishte në parti.
Sipas Salihajt, Osmani gëzon një përkrahje të madhe brenda LDK-së, përkrahje që, sipas tij, ka ekzistuar edhe më parë dhe vazhdon të jetë e pranishme.
Ai theksoi se rikthimi i saj në parti do të krijonte një entuziazëm të ri te anëtarësia, duke sjellë rritje dhe mbështetje më të madhe për LDK-në. Megjithatë, Salihaj vlerësoi se është e vështirë të përcaktohet forma më e mirë e rikthimit të saj – nëse duhet të jetë përmes një liste të veçantë apo përmes integrimit të drejtpërdrejtë në parti.
Tutje, ai pranoi se brenda LDK-së ekzistojnë edhe zëra kundër rikthimit të Osmanit, por theksoi se shumica e anëtarësisë janë pro kthimit të saj, pavarësisht kundërshtimeve të caktuara.
Në fund, Salihaj paralajmëroi se LDK, pa përfshirjen e Vjosa Osmanit, rrezikon të pësojë rënie të mëtejshme në skenën politike.
