Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Nëntoger Endi Sherifi, ka arritur sukses në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfunduar me sukses një nga trajnimet më sfiduese të këmbësorisë në Ushtrinë Britanike, raporton Sinjali.
Bëhet fjalë për kursin PCBC (Platoon Commander Battle Course), i cili është zhvilluar në Brecon të Uellsit, në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë këtij kursi intensiv, Sherifi ka demonstruar përkushtim të lartë, profesionalizëm dhe aftësi të shkëlqyera udhëheqëse. Si rezultat i performancës së tij, ai është vlerësuar me Mirënjohje të Veçantë nga Komandanti i Shkollës së Këmbësorisë, e cila i është dorëzuar nga Shefi i Shtabit të Forcave Tokësore, Gjeneralmajor Carl Boswell.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është krenare për arritjet e pjesëtarëve të saj, të cilët vazhdojnë të përfaqësojnë denjësisht vendin në arenën ndërkombëtare dhe të ngritin standardet profesionale të forcës sonë.”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
