Sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, i ka reaguar ashpër kryeministrit Albin Kurti, i cili dje ka kritikuar opozitën për çështjen e presidentit.
Ai ka vlerësuar se kryeministri Kurti ishte i nervozuar në videmesazhin e djeshëm.
Në profilin e tij në Facebok, Gjoshi ka shkruar se pse 4 ditë para skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit i dha fund mundësisë së kompromisit.
“Kryeministër, pse gjithë kjo nervozë? Pse katër ditë para skadimit të afatit kushtetues po i jep fund mundësisë së kompromisit për Presidentin? A nuk je ti njeriu i kompromiseve? Politikanët që e duan shtetin e tyre nuk ndalojnë së besuari në kompromis e marrëveshje edhe pasi takimi merr fund dhe mbyllet dera e sallës. Apo, sot vendose që të heqësh maskën dhe të kthehesh në atë që ishe gjithmonë: njeriu me koktejin e molotovit në dorë, që për pak pushtet ia jepte flakën Kosovës dhe insitucioneve të saj?”, ka shkruar ai, duke shtuar se Kurti kurrë nuk ka qenë i interesuar për kompromis.
“Që nga fillimi ishte e qartë – ti nuk ke kërkuar kompromis. Ti veç je shtihuar. E PDK të ka zbuluar para të gjithëve. Reagimi yt emocional nuk është shenjë force, por dëshmi e presionit nga refuzimi dhe nga fakti që ti je një politkan i paaftë që besimin e madh të qytetarëve ta kthesh në punë të hajrit për vendin. Qytetarët e kanë kuptuar se ti vetëm ke aktruar këto kohë dhe kjo po ta shton nervozën. Kosova nuk ka nevojë për aktrim politik. Ka nevojë për përgjegjësi, maturi dhe lidership të vërtetë. E ti nuk i ke asnjërën prej tyre”, ka shkruar ai.
