Partitë politike janë të ndara për zgjedhjen e ndonjë kandidati konsensual për president të vendit. Derisa kanë mbetur edhe dy ditë afat kushtetues për zgjedhjen e shefit të shtetit, në LVV nuk e përjashtojnë mundësinë që të dalin me ndonjë kandidat konsensual nëse PDK dhe LDK nuk ofrojnë të tillë.
Megjithatë, në PDK thonë se çështja e presidentit për ta vazhdon të jetë e mbyllur, ndërkaq në AAK thonë se nëse ofrohet ndonjë kandidat unifikues do ta shqyrtojnë në organet partiake. Lëvizja Vetëvendosje të shtunën ka ftuar dy partitë më të mëdha opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, që të dalin me tre emra të përbashkët, jopartiakë dhe unifikues, për president deri të dielën në mbrëmje.
Mirëpo, nga PDK dje thanë se nuk do të propozojnë asnjë emër, kurse në LDK theksuan se nëse ka marrëveshje politike mund ta propozojnë edhe ish-presidenten, Vjosa Osmani. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, se ekziston gatishmëri për të gjetur një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit, nëse ka vullnet nga të gjitha palët politike.
“Nëse ka vullnet nga të gjitha palët, zotëri Konjufca është i gatshëm për të liruar procedurën dhe për t’i dhënë mundësi dhe shanse… Nuk mund të parashoh se cilat do të jenë veprimet e LVV-së gjatë këtyre ditëve, por ne jemi të interesuar që të gjejmë një zgjidhje dhe vendit t’i japim president dhe t’i shmangim zgjedhjet e panevojshme… Nëse Kosova dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme dy herë brenda katër muajsh, atëherë përgjegjësia është e plotë e opozitës që nuk kanë minimum asnjë gatishmëri për të gjetur një zgjidhje”, thotë ai.
Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, thotë se kjo parti e konsideron çështjen e presidentit si të mbyllur. Sipas tij, qëndrimi i PDK-së mbetet ai i përcaktuar nga Këshilli Drejtues dhe nuk pritet të ketë ndryshime në këtë fazë.
“Ne e kemi konsumuar këtë temë me vendimin që ka marrë Këshilli Drejtues. Dhe unë mendoj që kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës dhe grupi parlamentar do t’i nënshtrohen vendimmarrjes që ka marrë Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës. Çka kemi pasur me thënë, e kemi thënë në Këshillin Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës. Prandaj, në këtë fazë nuk kemi ndonjë qëndrim tjetër, përveç qëndrimit që e ka mbajtur Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës”, deklaron ai.
Kurse, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, thekson se nuk do të mbështesin asnjë kandidat për president që vjen nga strukturat e LVV-së.
Megjithatë, ajo ka lënë të hapur mundësinë që një kandidat konsensual të shqyrtohet në strukturat e partisë, duke shtuar se aktualisht nuk sheh gatishmëri për një figurë të tillë përtej emrave politikë.
“Duhet të diskutojmë. Deputetë ose figura të LVV-së në asnjë mënyrë nuk i votojmë. Nëse vjen ndonjë figurë konsensuale, do të diskutojmë në strukturat e partisë. Mirëpo, nuk po shoh se ka gatishmëri që të sillet ndonjë figurë konsensuale, përveç figurave politike”, deklaron Kadrijaj.
Kuvendi ka afat kushtetues të zgjedhë presidentin deri më 28 prill, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të reja më së largu deri më 7 qershor.
